
Një 58-vjeçar është arrestua në Tropojë pasi akuzohen për dhunë ndaj bashkëshortes si dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas bluve të qytetit verior, Imer Shpata akuzohet se ushtronte dhunë sistematike ndaj bashkëshortes, me këtë të fundit që është larguar nga banesa dhe është në kërkim që prej 22 korrikut.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, policia gjeti dy armë zjarri automatike pa leje.
Njoftimi i policisë
“Hetimet e thelluara identifikuan dhe zbardhën një rast dhune sistematike nga bashkëshorti ndaj bashkëshortes, e dyshuar me pasoja të rënda.
Vihet në pranga 58-vjeçari që ushtonte dhunë sistematike ndaj bashkëshortes. Bashkëshortja është larguar nga banesa më datë 22.07.2025 dhe vijon të jetë në kërkim. Në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri automatike. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për gjetjen e shtetases N. Sh., 48 vjeçe, e cila është larguar nga banesa më datë 22.07.2025. Dyshohet se pas këtij largimi mund të fshihet një ngjarje e rëndë kriminale.
Në momentin e arrestimit, Policia gjeti në banesën e 58-vjeçarit I. Sh., banues në fshatin Bujan, dy armë zjarri automatike, të cilat u sekuestruan. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të përcaktuar nëse janë përdorur apo jo në ngjarje kriminale.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, pas informacionit të marrë nga të afërm të shtetases N. Sh., se ajo ishte larguar nga banesa e bashkëshortit dhe kishin humbur kontaktet me të, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe gjetjen e saj. Nga hetimet rezultoi se 48-vjeçarja dyshohet se është larguar si pasojë e dhunës sistematike nga bashkëshorti. Në këto kushte, u shoqërua dhe më pas u ndalua shtetasi I. Sh., 58 vjeç.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Po ashtu, janë angazhuar shërbime të specializuara të Policisë për kërkimin e 48-vjeçares, me dyshimin se mund të jemi përballë një ngjarjeje të rëndë kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”
…
Në Fier është arrestuar një 64-vjeçar pasi akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme. Sipas policisë, Nazmi Kapaj i ka vënë flakën një sipërfaqeje në fshatin Frakull e Vogël dhe nga përhapja e flakët janë djegur 225 rrënjë ullinj në pronësi të një shtetasit tjetër.