
Ushtria izraelite njoftoi se ka arritur të ndërpresë me sukses një raketë balistike të lëshuar nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani, të premten, në drejtim të territorit izraelit.
Sirenat e alarmit u dëgjuan në disa zona të Izraelit qendror dhe në rajonin e Detit të Vdekur, ndërsa përkohësisht u pezulluan ngritjet dhe uljet në aeroportin Ben Gurion, përcjell Ynet.
“Pas sirenave që ranë pak më parë në disa zona të Izraelit, një raketë e lëshuar nga Jemeni u neutralizua nga Forcat Ajrore të Izraelit. Sirenat u aktivizuan sipas protokollit,” njoftoi IDF në një deklaratë zyrtare.
Ky ishte sulmi i dytë i dështuar radhazi i Houthive brenda dy ditëve. Të enjten, një tjetër raketë e lëshuar nga Jemeni nuk arriti të hyjë në hapësirën ajrore izraelite, por sërish çoi në pezullimin e fluturimeve në Ben Gurion për një kohë të shkurtër.
Pasi raketa e së enjtes dështoi të godiste shënjestrën, zyrtari i lartë i Houthive, Hezam al-Assad, publikoi një mesazh në platformën X (ish-Twitter), në hebraisht, duke deklaruar: “Nuk do ta braktisim Gazën. Nuk do të heshtim ndërsa fëmijët e saj vuajnë nga uria nën rrethim. Çifutë sionistë – nuk do të keni siguri, ndërsa populli ynë në Gaza po përballet me shfarosje masive para syve të botës. Gjakut të Gazës i është hapur rruga – dhe ne do të jemi aty ku duhet të jemi.”
Këto zhvillime vijnë në vazhdën e tensioneve të larta në Lindjen e Mesme dhe ndërhyrjeve të grupeve të mbështetura nga Irani në mbështetje të Hamasit në Gaza.