
Për herë të 52-të me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohej, duke thelluar më tej ngërçin institucional që ka përfshirë vendin prej disa javësh. Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të shtunën, më 26 korrik, në orën 14:00.
“Dje jeni njoftuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme e cila hyn në fuqi të dielën. Duke pasur parasysh që nesër përfundon afati kushtetues prej 30 ditësh dhe të dielën hyn në fuqi masa e përkohshme, seancën e radhës e mbajmë nesër në orën 14:00,” deklaroi Dehari.
Seancat e Kuvendit, të cilat tashmë mbahen çdo 48 orë, janë kthyer në një formalitet procedural pa ndonjë përpjekje të dukshme për zhbllokim të situatës. Ngërçi vazhdon të pengojë konstituimin e institucioneve të reja dhe krijimin e qeverisë së re.
Në seancën e sotme ishin të pranishëm edhe ambasadorë të vendeve partnere të Kosovës, të cilët po ndjekin nga afër zhvillimet dhe krizën politike në vend.