Një shtetase shqiptare e shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Kavajë, me qëllim ekstradimi drejt Spanjës, ku akuzohet për veprimtari kriminale të lidhura me kultivimin e bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Në kuadër të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës dhe me koordinim të Interpol Tiranës, kanë bërë të mundur arrestimin e shtetases Valjeta Beni, 54 vjeçe, banuese në Golem.
Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle, pasi Gjykata e Sabadellit, me vendimin e datës 30 qershor 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Për këto vepra, legjislacioni spanjoll parashikon një dënim maksimal deri në 6 vjet burg.
Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet përkatëse spanjolle për kryerjen e procedurave të ekstradimit të shtetases Beni.