Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO lë në fuqi “arrestin në burg” për Denis Bajrin, i ekstraduar nga Emiratet



Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të konfirmojë masën e sigurisë “arrest në burg” për Denis Bajrin, i cili u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe më 23 korrik.

Bajri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit të gjerë “Metamorfoza” dhe u arrestua më 27 shkurt 2024 në Dubai.

Ai akuzohet për vrasjen me paramendim të Gjin Boriçit (Ndojit), ngjarje e ndodhur më 9 gusht 2020 në Vau Dejës. Sipas SPAK, ekzekutimi dyshohet se u porosit nga Ervis Martinaj, si pasojë e rivalitetit për kontrollin e tregut të lojërave të fatit.

Hetimet dhe përgjimet e siguruara nga Prokuroria e Posaçme kanë zbardhur biseda që, sipas organit të akuzës, përputhen me detaje të skenës së krimit dhe konfirmojnë përfshirjen direkte të Denis Bajrit në këtë vrasje.