Vendosni fjalën kyçe....

Banorët në Klos protestojnë kundër ndërtimit të hidrocentralit: Pa ujë nuk ka jetë


Banorët e fshatit Kurdari, në njësinë administrative Suç të Bashkisë Klos, kanë protestuar sot kundër ndërtimit të një hidrocentrali në zonën e tyre, duke e cilësuar projektin një kërcënim serioz për jetesën dhe të ardhmen e komunitetit.

Të mbledhur para godinës së Bashkisë së Klosit, protestuesit shprehën shqetësimin se ndërtimi i HEC-it do të privonte fshatin nga burimet ujore jetike, të domosdoshme për bujqësinë – burimi kryesor i të ardhurave për familjet e zonës.

“Pa ujë nuk ka jetë. Nëse ndërtohet HEC-i, ose na zhvendosni nga fshati, ose do të vdesim ngadalë,” thanë disa prej protestuesve, të vendosur të mos tërhiqen pa u ndalur punimet. Ata kujtuan se nuk është hera e parë që reagojnë – protesta të mëparshme janë organizuar edhe në vendin ku është planifikuar marrja e ujit, madje ka pasur edhe përplasje me forcat e policisë.

Banorët i bënë thirrje Bashkisë së Klosit të ndërhyjë menjëherë për të pezulluar ndërtimin e hidrocentralit, duke paralajmëruar se projekti do të dëmtojë jo vetëm furnizimin me ujë të fshatit, por edhe ekonominë bujqësore që mbështet qindra banorë.

Nga ana tjetër, kompania ndërtuese e hidrocentralit ka deklaruar se disponon të gjitha lejet e nevojshme dhe dokumentacionin përkatës që prej vitit 2019.

Pavarësisht kësaj, banorët thanë se protestat do të vijojnë deri në ndalimin përfundimtar të punimeve, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme dhe mbrojtjen e të drejtës për të jetuar në fshatin e tyre.