Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret ‘shkrumbojnë’ malet në Shqipëri, situatë e jashtëzakonshme në disa qarqe


Qindra hektarë me pyje janë përfshirë nga flakët në disa zona të vendit, ndërsa situata paraqitet alarmante në disa qarqe si Dibër, Vlorë, Lezhë, Gjirokastër, Elbasan dhe Shkodër.

Për shkak të terreneve të vështira dhe kushteve atmosferike sfiduese, përfshirë erën e fortë dhe temperaturat e larta, zjarret janë përhapur me shpejtësi, duke vënë në rrezik jo vetëm mjedisin, por edhe banesat dhe jetët njerëzore.

 

Situata më kritike në Parkun Kombëtar të Lurës

Në Parkun Kombëtar të Lurës, flakët vijojnë të përhapen me intensitet të lartë dhe ndërhyrja nga ajri është bërë e pamundur për shkak të tymit të dendur.

Shefi i Emergjencave deklaroi se: “Zona mbi Gurë-Lurën është mbuluar nga tymi, ç’ka pengon ndërhyrjen nga ajri, ndaj avioni po operon në zonën e Gjocajt.”

Një ditë më parë, ndërhyrja me avionin kroat Canadair kishte sjellë një përmirësim të përkohshëm, por situata u përkeqësua sërish sot, duke rikthyer shqetësimin për përhapje të mëtejshme të zjarrit në këtë zonë të mbrojtur.

Shkopeti dhe Lurthi – Ndërhyrje ajrore, stakohet energjia

Në malin e Shkopetit, që ndodhet ndërmjet Kurbinit dhe Mirditës, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe pyjore dhe po rrezikojnë stanet e barinjve.

Që në orët e para të mëngjesit ka nisur një ndërhyrje nga ajri me dy helikopterë të ardhur nga Hungaria, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Mediat raportojnë se për sigurinë e pilotëve, është ndërmarrë një masë e rëndësishme: “Është komunikuar me OST, i cili ka ndërmarrë masat për stakimin e njërës prej linjave të tensionit të lartë, që kalon pranë zonës së operacionit.”

Pamjet nga ajri tregojnë shkallën e lartë të shkatërrimit të pyjeve dhe bimësisë që po shkrumbohen prej orësh.

Dukati dhe Parku i Llogarasë – Zjarri përparon në terren të pakalueshëm

Në jug të vendit, zjarri në malin e Dukatit është rikthyer me intensitet dhe po kërcënon parkun e mbrojtur të Llogarasë. Në terren ndodhet edhe kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, i cili nga fshati Dukat tha:

“Po punojmë me të gjithë forcat mbi Dukat fshat, së bashku, po ndërhyjmë si në pjesën e Dukatit edhe në atë të parkut të Llogarasë, për të shuar flakët dhe parandaluar përhapjen. I kemi bërë thirrje edhe Ministrisë së Mbrojtjes që na ka dërguar me mision dy helikopterë që janë përfshirë në aksion tashmë.”

Sipas tij, në terren janë angazhuar gjithsej 60 forca, prej të cilave 36 janë të ushtrisë. Kryebashkiaku sqaroi: “Ka pjesë si kjo këtu që është e pamundur të menaxhohet me forca njerëzore pasi terreni është shumë i pjerrët dhe i lartë, i vështirë për të ndërhyrë. Ndaj është kërkuar edhe ndihma e Ministrisë së Mbrojtjes me helikopterë.”

Delvinë – Flakët afrohen pranë banesave në Kalasë

Në fshatin Kalasë të Delvinës, është regjistruar një vatër zjarri e cila është afruar pranë zonave të banuara.

“Zjarri ndodhet pranë banesave, ndërsa banorët dhe zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve”, njofton Shqiptarja.com në edicionin e orës 13:14.

Sevaster dhe Mali i Finiqit – Dyshime për zjarrvënie të qëllimshme

Në zonën e Sevasterit në Vlorë, zjarri u regjistrua në orët e para të mëngjesit. “Tymi mbulon zonën! Rrezikohen stane, pritet ndërhyrje me helikopter”, raportuan autoritetet. Mendohet se zjarri është i qëllimshëm, me qëllim hapjen e kullotave.

Ndërkohë, në malin e Finiqit, një 59-vjeçar është vënë nën hetim, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në mënyrë të qëllimshme.

 “Më datë 23.07.2025, rreth orës 21:30, ka ndezur zjarr në zonën e quajtur ‘Mali i Finiqit’, dhe si pasojë janë djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi të dendur”, njoftoi policia e Sarandës. Prokuroria e Sarandës ka nisur procedim penal për shtetasin në fjalë.

Gjirokastër – Flakët mes fshatrave Prongji dhe Kardhiq

Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar në Gjirokastër, mes fshatrave Prongji dhe Kardhiq. Sipas mediave “Forcat e emergjencës janë duke punuar për të izoluar dhe shuar tërësisht zjarrin, me qëllim për të mos lejuar përhapjen drejt zonave të banuara.”

Korçë – Vatra e zjarrit në Dishnicë mbetet aktive, ndërsa ajo në Vërnik është shuar

Prefektura e Korçës raportoi sot se zjarri në Dishnicë, Njësia Administrative Bulgarec, vijon me intensitet të ulët. “Forcat e shërbimit pyjor dhe ato të Njësisë Administrative Bulgarec janë angazhuar që prej orës 05:00, duke krijuar breza kundër zjarrit për të ndaluar avancimin e flakëve”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, vatra në Vërnik është neutralizuar plotësisht dhe nuk janë konstatuar riaktivizime.

 

Bilanci i 24 orëve – 34 vatra zjarri, 8 ende aktive

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 34 vatra zjarri, prej të cilave 8 mbeten ende aktive dhe 3 të tjera janë nën monitorim të vazhdueshëm. Zonat më problematike janë identifikuar në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër.

Në operacionet e shuarjes janë përfshirë:

  • 776 forca operacionale,
  • 40 automjete zjarrfikëse,
  • 1 helikopter i Forcave të Armatosura,
  • 1 avion “Canadair” nga Kroacia,
  • 2 helikopterë nga Hungaria, të gjithë të angazhuar në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Operacionet do të vazhdojnë edhe në orët në vijim, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar masa të ashpra kundër zjarrvënësve të qëllimshëm. Situata mbetet dinamike dhe nën monitorim të vazhdueshëm.