
Një vatër zjarri në anën maqedonase të kufirit ka shkaktuar pezullimin e përkohshëm të qarkullimit në pikën doganore të Goricës, në zonën e Pustecit. Flakët kanë përfshirë të dy anët e rrugës, duke krijuar rrezik për mjetet që lëvizin në këtë segment.
Në bashkëpunim të ngushtë, autoritetet doganore shqiptare dhe maqedonase kanë marrë vendimin për ndalimin e qarkullimit për mjetet e tonazhit të rëndë, si masë sigurie për qytetarët dhe automjetet që kalojnë përmes kësaj pike kufitare. Qarkullimi për automjetet e tjera vijon të jetë i lejuar.
Zjarri ndodhet pranë kufirit me territorin shqiptar, ndërsa forcat zjarrfikëse të Maqedonisë së Veriut janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se do të ketë një njoftim të dytë për rifillimin e plotë të lëvizjes në këtë pikë doganore, sapo situata të vihet nën kontroll.