
Një zjarr i fuqishëm në kufirin shqiptaro-grek çoi në pezullimin e përkohshëm të punës në pikën kufitare të Kakavijës, për një periudhë rreth 1 orë e 30 minuta, pasi doganierët grekë ndaluan përpunimin e pasaportave për shkak të rrezikut nga tymi i dendur.
Zjarri kishte nisur fillimisht në territorin shqiptar, por për shkak të erës së fortë është përhapur edhe në anën greke të kufirit. Edhe pse flakët nuk arritën te objekti i doganës greke, tymi i dendur detyroi autoritetet të aktivizonin protokollin e emergjencave, duke pezulluar kalimin kufitar si në hyrje, ashtu edhe në dalje.
Bllokimi i qarkullimit krijoi radhë kilometrike në të dy anët e kufirit, ndërsa në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse greke për të vënë nën kontroll flakët.
Sipas kryebashkiakut të Dropullit, Dhimitër Toli, nga zjarri janë djegur katër shtëpi në fshatin afër Kakavijës dhe janë evakuuar katër banorë. Ai konfirmoi se Greqia ndihmoi me ndërhyrje ajrore, për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.
“Janë djegur 3-4 shtëpi të fshatit. Kanë ardhur zjarrfikëse nga Gjirokastra dhe nga ajri ka ardhur ndihmë nga Greqia. Zjarri ka kaluar edhe në anën greke,” – deklaroi Toli.
Pas ndërhyrjes nga toka dhe ajri, situata është normalizuar dhe pikëkalimi kufitar i Kakavijës ka rifilluar punën. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet.