Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite nënshkruan marrëveshje prej 6.4 miliardë dollarësh me Sirinë për rindërtimin e vendit pas luftës



Arabia Saudite ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh strategjike me qeverinë e re siriane më 24 korrik, me një vlerë të përgjithshme prej 6.4 miliardë dollarësh, për të mbështetur rindërtimin e vendit pas 14 vitesh lufte shkatërrimtare, përcjell Radio Evropa e Lirë.

Marrëveshjet përfshijnë investime në infrastrukturë, telekomunikacion, siguri kibernetike, bujqësi dhe sektorë të tjerë kyç. Ato u nënshkruan në kuadër të Forumit të Investimeve Siri–Arabi Saudite, i mbajtur në pallatin presidencial në Damask, në praninë e presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, dhe zyrtarëve të lartë nga të dy vendet.

Ministri saudit i Investimeve, Khalid Al-Falih, deklaroi se janë nënshkruar 47 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi, me një fokus të veçantë në rindërtimin e infrastrukturës. Rreth 2.9 miliardë dollarë do të përdoren për ndërtimin e tre fabrikave të çimentos dhe projekte të tjera të infrastrukturës. Sakaq, kompanitë saudite të telekomunikacionit do të investojnë 1.07 miliardë dollarë për përmirësimin e rrjeteve dhe rritjen e kapaciteteve të sigurisë kibernetike në vend.

Ministri sirian i Ekonomisë, Mohammed al-Shaar, e cilësoi këtë forum si “një hap të madh në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona vëllazërore”, duke shprehur falënderim për mbështetjen e Riadit në përpjekjet për rimëkëmbje kombëtare.

Marrëveshjet vijnë në një klimë të re ndërkombëtare për Sirinë, pasi Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore hoqën sanksionet ndaj Damaskut. Presidenti amerikan Donald Trump formalizoi heqjen e sanksioneve në fillim të korrikut, duke theksuar nevojën për riintegrimin ekonomik të Sirisë në tregjet globale. Kjo lëvizje u parapri nga heqja e pjesës më të madhe të masave ndëshkuese në maj, pas kërkesave të forta nga Arabia Saudite dhe Turqia.

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara e përshëndetën këtë zhvillim, duke e cilësuar si “hap premtues për rindërtim dhe përmbushjen e të drejtave të njeriut në Siri”. OKB-ja i ka vlerësuar kostot e rindërtimit të vendit në mbi 400 miliardë dollarë.

Në maj, Siria kishte nënshkruar edhe një marrëveshje tjetër të rëndësishme energjetike në vlerë prej 7 miliardë dollarëshme një konsorcium ndërkombëtar të përbërë nga kompani nga Katari, Turqia dhe SHBA-ja, për të ndihmuar ringjalljen e sektorit të energjisë elektrike.