
Vatra e zjarrit që përfshiu mbrëmjen e së martës pyjet e fshatit Mamëz, në Kukës, është shuar pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, vullnetarëve dhe trupave të ushtrisë. Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh në të njëjtën zonë, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve dhe kanë vështirësuar ndjeshëm operacionin e shuarjes.
Për shkak të terrenit malor, ndërhyrja është kryer pa mjete të specializuara, kryesisht me pompa shpine dhe mjete rrethanore. Në terren u angazhuan 22 forca zjarrfikëse, punonjës të shërbimit pyjor, banorë të zonës dhe dy grupe të ushtrisë nga Tirana.
Sipas Shërbimit Zjarrfikës të Kukësit, zjarri është vënë nën kontroll, megjithatë disa vatra të vogla vijojnë të jenë aktive dhe po monitorohen për të shmangur rindezjen. Ende nuk ka një version zyrtar për shkakun, ndërsa paraprakisht dyshohet për djegien e disa hektarëve me dushk dhe bimësi të dendur.
Autoritetet lokale bëjnë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim nga qytetarët, duke theksuar rrezikun e lartë për zjarre për shkak të temperaturave të larta dhe erërave që po prekin rajonin këto ditë.