
Raundi i tretë i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës është zhvilluar më 23 korrik në Stamboll, me praninë e ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, i cili u bëri thirrje të dyja palëve që t’i japin fund “luftës së përgjakshme” sa më shpejt të jetë e mundur, përcjell REL.
Fidan theksoi se objektivi final i këtyre bisedimeve është një armëpushim i qëndrueshëm që do të hapte rrugën drejt paqes. Ai falënderoi presidentët Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky për vullnetin politik për të vijuar dialogun, si dhe presidentin amerikan Donald Trump për thirrjet e tij të fundit për t’i dhënë fund luftës.
Turqia, e cila mban marrëdhënie të balancuara me të dy vendet, është përpjekur disa herë të ndërmjetësojë dialogun dhe ka theksuar gatishmërinë për të ofruar monitorim ndërkombëtar nëse arrihet një marrëveshje për ndalim të zjarrit. Fidan tha gjithashtu se në dy raundet e mëparshme, gjithashtu të zhvilluara në Stamboll, është arritur një progres i kufizuar, veçanërisht në këmbimin e të burgosurve dhe trupave të ushtarëve të vrarë.
Megjithatë, përparimi drejt një marrëveshjeje përfundimtare mbetet i vështirë për shkak të mospërputhjeve të thella mes qëndrimeve të palëve. Rusia ka kërkuar që Ukraina të tërhiqet nga katër rajonet që Moska pretendon se i ka aneksuar në shtator 2022, kërkesë që Kievi e ka quajtur të papranueshme. Ukraina ka deklaruar se nuk do të negociojë për territore para një armëpushimi të plotë dhe nuk do të njohë kurrë kontrollin rus mbi asnjë pjesë të territorit të saj, përfshirë Krimenë.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se “askush nuk pret një rrugë të lehtë” dhe e cilësoi procesin si “shumë të vështirë”.
Sipas burimeve diplomatike, Ukraina shpreson që raundi i tretë të shërbejë për të shtyrë përpara çështje praktike si lirimi i mëtejshëm i të burgosurve politikë, si dhe përgatitjen për një takim të drejtpërdrejtë mes Zelenskyt dhe Putinit.
Tensionet janë rritur gjithashtu nga ultimatumi i dhënë së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili i ka dhënë Rusisë një afat prej 50 ditësh për të ndalur luftën, përndryshe ka paralajmëruar sanksione të reja ndaj Moskës. Kremlini nuk ka dhënë ende sinjale për ndonjë kompromis në këtë drejtim.
Lufta në Ukrainë, e nisur me pushtimin e plotë nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktimadhe ka shkatërruar qytete të tëra, veçanërisht në lindje dhe jug të vendit. Bisedimet në Stamboll mbeten një dritare e brishtë shprese në një realitet ende të përfshirë nga dhuna dhe mungesa e konsensusit.