
Qeveria shqiptare ka rikthyer në skenë sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, por këtë herë në një formë të ndryshuar nga projektligji i diskutuar disa vite më parë. Ministria e Financave ka hedhur të mërkurën në konsultim publik një draft të ri, i cili parashikon krijimin e një shoqërie aksionare shtetërore të quajtur Fondi për Tërmetet, që do të administrojë të gjithë procesin: nga arkëtimi i primit të sigurimit, deri te pagesa e dëmshpërblimeve pas fatkeqësive natyrore.
Sipas draftit, kompetencat do të qëndrojnë kryesisht në Ministrinë e Financave, ndërsa roli i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe shoqërive të sigurimit është minimizuar. Kjo shënon një ndryshim të madh nga modeli klasik i sigurimeve në tregun shqiptar.
Çfarë parashikon projektligji?
Projektligji përcakton se çdo banesë apo njësi funksionale brenda saj (si zyra apo ambiente të tjera) duhet të jetë e siguruar. Detyrimi nuk do të aplikohet për struktura me rrezik të lartë si ato prej qerpiçi, kallami, apo ndërtesat e përkohshme. Edhe banesat në legalizim dhe ato sociale përfshihen në skemë, ndërsa për shtresat në nevojë sigurimi do të mbulohet nga shteti.
Fondi për Tërmetet do të përcaktojë primet e sigurimit dhe shumat maksimale të dëmshpërblimit, me miratim nga Këshilli i Ministrave dhe pëlqimin e AMF-së. Prime të ndryshme do të llogariten sipas riskut sizmik të zonës dhe karakteristikave të pronës, bazuar në një model të zhvilluar posaçërisht për Shqipërinë.
Çfarë mbulohet dhe çfarë përjashtohet?
Sigurimi do të mbulojë dëmet në ndërtesë të shkaktuara nga tërmeti, gjatë periudhës së vlefshmërisë së policës. Përjashtohen dëmtimet trupore, humbjet jopasurore, dëmet mbi objektet brenda banesës, si dhe humbjet nga ndërprerja e aktivitetit ekonomik.
Shuma e sigurimit do të ketë një limit të përcaktuar me VKM, ndërsa vetë i siguruari do të përballojë një zbritje prej 2% të dëmit. Dëmshpërblimi do të paguhet deri në tre muaj pas dorëzimit të plotë të dokumentacionit.
Masa shtrënguese për refuzuesit
Projektligji parashikon penalitete për qytetarët apo bizneset që nuk do të paguajnë primin e sigurimit. Ata nuk do të kenë akses në shërbimet kadastrale, në portalin e-Albania, apo në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Shqipëria, ndër vendet më të rrezikuara në Evropë
Shqipëria renditet e para në Evropë për rrezik nga tërmetet, sipas Raportit të Rrezikut Botëror 2021. Vetëm në 100 vitet e fundit janë regjistruar 12 tërmete me magnitudë mbi 6 ballë. Tërmeti i vitit 2019 la pasoja të mëdha në sektorin rezidencial, ku 18% e banesave u dëmtuan dhe dëmet totale arritën në 7.5% të PBB-së.
Banka Botërore ka rekomanduar prej vitesh implementimin e një ligji për sigurimin nga tërmetet në Shqipëri, si pjesë e strategjisë për përballimin e rreziqeve natyrore. Kthimi i këtij projektligji në agjendën legjislative sinjalizon një hap konkret në këtë drejtim.