
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë sot vendimin përfundimtar për çështjen penale ndaj 10 të pandehurve, mes të cilëve ndodhej edhe ish-drejtorja e ATP, Sonila Qato. Ajo akuzohej për “shkelje të barazisë në tendera” gjatë kohës që drejtonte Agjencinë e Prokurimeve të Përqendruara.
Sipas trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Irena Gjoka (kryesuese), Erjon Çela dhe Rudina Palloj, Qato u shpall fajtorepër shkeljen e procedurave të prokurimit publik dhe u dënua me 6 muaj burg, i cili u konvertua në punë me interes publik, në total 60 orë, për t’u kryer brenda 6 muajve. Po ashtu, gjykata vendosi pezullimin e ushtrimit të funksioneve publike për 1 vit ndaj saj.
E njëjta masë u vendos edhe për tre të pandehur të tjerë, ndërsa shtatë të tjerë u shpallën të pafajshëm, pasi gjykata vlerësoi se mungonte vepra penale në veprimet e tyre. Në këtë kategori përfshihen M. Sh., N. M., A. P., A. T., A. H., A. H. dhe S. P.
Çështja u gjykua sipas procedurës së zakonshme dhe përfundoi më 23 korrik 2025. Të gjithë të dënuarit janë ngarkuar gjithashtu me shpenzimet gjyqësore dhe hetimore.
Vendimi mund të ankimohet brenda 15 ditësh në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.