Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërkon alternativa ndaj SpaceX për mburojën raketore “Golden Dome”


Administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump po zgjerohet drejt partnerëve të rinj për ndërtimin e sistemit të mbrojtjes raketore “Golden Dome”, duke kontaktuar me “Project Kuiper” të Amazon-it dhe gjigantë të tjerë të industrisë së mbrojtjes, në një kohë kur tensionet me Elon Musk kërcënojnë dominimin e SpaceX në këtë projekt strategjik, thanë për Reuters tre burime të njohura me çështjen.

Ky hap përbën një largim të qartë nga varësia ndaj SpaceX, rrjetet satelitore të së cilës – Starlink dhe Starshield – janë bërë pjesë thelbësore e komunikimeve ushtarake amerikane.

Përplasja mes Trump dhe Musk, e cila kulmoi me një grindje publike më 5 qershor, ka thelluar shqetësimet në Pentagon dhe Shtëpinë e Bardhë për mbështetjen mbi një partner të vetëm për pjesë të mëdha të një projekti ambicioz prej 175 miliardë dollarësh.

 Por edhe përpara kësaj përplasjeje, autoritetet kishin nisur të shqyrtonin alternativa ndaj SpaceX.

Përgjigje nga Musk apo SpaceX nuk pati.

Musk, pasi Reuters raportoi më herët se SpaceX ishte një nga pretendentët kryesorë për ndërtimin e pjesëve të sistemit Golden Dome, shkroi në rrjetin X se kompania e tij “nuk ka tentuar të aplikojë për asnjë kontratë në këtë drejtim. Preferenca jonë është të fokusohemi tek misioni ynë për të çuar njerëzimin në Mars.”

Megjithatë, për shkak të përmasës së saj dhe përvojës me mbi 9,000 satelitë të lëshuar në orbitë, SpaceX mbetet ende një aktor kyç për kontratat e lëshimeve në kuadër të Golden Dome, sipas burimeve.

Në të njëjtën kohë, Pentagon-i ka nisur kontaktet me “Project Kuiper” të Jeff Bezos, e cila ka lëshuar vetëm 78 nga 3,000 satelitët e planifikuar në orbitën e ulët të Tokës. Kjo tregon gatishmërinë e administratës për të përfshirë firmat e teknologjisë në infrastrukturën e mbrojtjes kombëtare.

Jeff Bezos, kryetar ekzekutiv i Amazon-it, deklaroi në janar për Reuters se “Kuiper është një projekt kryesisht komercial”, por shtoi se “pa dyshim do të ketë edhe përdorime për mbrojtjen kombëtare.”

As Project Kuiper dhe as Pentagon-i nuk pranuan të komentojnë për këtë histori.

Golden Dome është konceptuar si një version i zgjeruar i sistemit izraelit “Iron Dome”, një mburojë kombëtare kundër raketave, por me një strukturë më të madhe, më të ndërlikuar dhe të mbështetur nga rrjete satelitore që mbulojnë një territor shumë më të gjerë.

Një zyrtar amerikan e përshkroi Project Kuiper si një “lojtar të rëndësishëm” në përzgjedhjen e kontraktorëve për këtë rrjet satelitor.

Ndërsa SpaceX mban ende epërsinë teknologjike për lëshime, pesha e saj në projekt mund të ulet. Zyrtarët kanë kontaktuar gjithashtu kompani të reja në rritje si Stoke Space dhe Rocket Lab, të cilat do të kenë mundësi të konkurrojnë për kontrata individuale lëshimesh ndërsa programi evoluon.

“Çdo lëshim individual do të ofrohet për garë dhe duhet të kemi ofertues të tjerë përveç SpaceX,” deklaroi një zyrtar i SHBA.

Nevoja urgjente për satelitë

Në vitin 2024, Kongresi i SHBA rriti ndjeshëm buxhetin për komunikimet satelitore – nga 900 milionë në 13 miliardë dollarë – si pjesë e përpjekjeve për të nxitur prodhimin privat të satelitëve.

Project Kuiper, një iniciativë 10 miliardë dollarëshe e udhëhequr nga ish-menaxherë të Starlink të pushuar nga Musk për progres të ngadaltë, ka mbetur pas SpaceX për nga shpejtësia e zhvillimit.

Por potenciali i saj për përdorim në mbrojtje – sidomos për komunikim dhe ndjekje të raketave – ka tërhequr sërish interesin e administratës, ndërkohë që përgatitet për të ndarë këstin e parë prej 25 miliardë dollarësh nga paketa fiskale e miratuar nga Trump.

Gjigantët tradicionalë të mbrojtjes si Northrop Grumman, Lockheed Martin dhe L3Harris janë gjithashtu në bisedime për të mbështetur Golden Dome. Kenneth Bedingfield, drejtori financiar i L3Harris, tha për Reuters se kompania ka parë një rritje të interesit për teknologjitë e saj të paralajmërimit dhe ndjekjes së raketave.

Robert Fleming nga Northrop konfirmoi për Reuters se kompania po punon për një interceptor satelitor që do të ishte i aftë të neutralizonte raketa armike nga hapësira.

“Lockheed Martin është gati të mbështesë Golden Dome si një partner i provuar i misioneve amerikane,” deklaroi Robert Lightfoot, president i Lockheed Martin Space.

Në muajin prill, qasja e parë e projektit Golden Dome ftoi startup-e nga Silicon Valley, të cilat u panë si më fleksibël, më inovative dhe më të lira sesa firmat tradicionale të mbrojtjes – por përplasja Trump-Musk ka ndryshuar këtë qasje.

Firma të tjera me lidhje të ngushta me Trump – si Palantir dhe Anduril – ishin në krye të garës për pjesë të mëdha të projektit prej 175 miliardë dollarësh. Por lansimi së fundmi i “America Party” nga Musk – një lëvizje politike teknologjike që synon të mposhtë republikanët që mbështesin agjendën fiskale të Trump – ka trazuar ekuilibrat politikë dhe të biznesit.

Afate të shpejta

Trump e nisi zyrtarisht projektin Golden Dome vetëm një javë pas nisjes së mandatit të tij të dytë, duke kërkuar zbatim të shpejtë. Gjenerali i Forcave Hapësinore, Michael Guetlein, i konfirmuar nga Senati më 17 korrik, do të drejtojë projektin me autoritet të plotë.

Sipas një urdhri të klasifikuar të lëshuar nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Guetlein ka 30 ditë për të ngritur ekipin, 60 ditë për të dorëzuar një projekt fillestar dhe 120 ditë për të paraqitur planin e plotë të zbatimit – përfshirë rrjetin e satelitëve dhe stacionet tokësore.

Përfshirja e platformave komerciale si Kuiper ka ngjallur shqetësime për sigurinë. Satelitët duhet të mbrohen nga sulmet kibernetike dhe lufta elektronike – një sfidë që ka përfshirë edhe rrjetin Starlink të SpaceX. Në maj 2024, Elon Musk deklaroi se kompania e tij po shpenzonte “burime të mëdha për të luftuar ndërhyrjet ruse në rrjetin e saj. Është një problem i vështirë,” tha ai.

Përtej sfidave teknike dhe politike, Golden Dome pritet të ndikojë ndjeshëm në dinamikat globale të sigurisë. Një sistem i plotë mbrojtjeje raketore nga hapësira mund të nxisë rivalët të zhvillojnë kapacitete të reja sulmuese apo të përshpejtojnë militarizimin e hapësirës.

Megjithatë, pritet që kompanitë e mëdha si Lockheed dhe RTX (ish-Raytheon) të jenë në radhën e parë për kontratat. Drejtues të RTX deklaruan këtë të martë se presin që sistemi i tyre “Patriot” të jetë pjesë integrale e Golden Dome “nëse synohet të arrihet një ndikim i rëndësishëm brenda 2 deri në 3 vjetëve.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters