
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit ka dorëzuar listën zyrtare me dëshmitarët dhe provat materiale që synon të përdorë gjatë procesit gjyqësor.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, gjatë një konference mbi ecurinë e çështjes më 22 korrik.
Sipas Smith III, dokumentet janë dorëzuar më 21 korrik 2025 dhe trupi gjykues kërkon konfirmim që këto përfaqësojnë tërësinë e provave që planifikohet të përdoren nga mbrojtja.
Avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis, sqaroi se nuk priten materiale shtesë për momentin, por shtoi se forma e paraqitjes së provave mund të ndryshojë në vijimësi.
Procesi ndaj Thaçit, Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit vazhdon në Hagë, ku katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të supozuara gjatë periudhës së luftës së viteve 1998–1999.