Vendosni fjalën kyçe....

Hakerimi i serverëve të Microsoft godet 100 viktima, mes tyre organizata qeveritare


Një operacion gjithëpërfshirës i spiunazhit kibernetik që synonte Microsoft-in kompromentoi rreth 100 organizata të ndryshme që nga fundjava, thanë të hënën dy nga organizatat që ndihmuan në zbulimin e fushatës.

Microsoft të shtunën lëshoi një alarm në lidhje me “sulme aktive” në serverat SharePoint, të cilët përdoren gjerësisht nga organizatat për të ndarë dokumente dhe për të bashkëpunuar brenda organizatave. Instancat e SharePoint që drejtohen nga serverët e Microsoft nuk u prekën.

I quajtur “zero-day” sepse shfrytëzon një dobësi dixhitale të pazbuluar më parë, sulmet hakeruese u lejojnë spiunëve të depërtojnë në servera të cenueshëm dhe potencialisht të hapin një derë të pasme për të siguruar qasje të vijueshme te organizatat viktima, shkruan Reuters.

Vaisha Bernard, zyrtarja kryesore në Eye Security, një firmë sigurie kibernetike me seli në Holandë, e cila zbuloi fushatën e hakerimit, që synon një nga klientët e saj të premten, tha se një skanim interneti i kryer me Fondacionin Shadoëserver kishte zbuluar gati 100 viktima gjithsej – dhe kjo ishte përpara se teknika pas hakerimit të bëhej e njohur gjerësisht.

Fondacioni Shadoëserver konfirmoi shifrën 100 dhe tha se shumica e të prekurve ishin në Shtetet e Bashkuara dhe Gjermani dhe se viktimat përfshinin organizata qeveritare.

Një studiues tjetër tha se, deri më tani, spiunazhi duket se është vepër e një hakeri të vetëm ose e një grupi hakerësh.

Nuk ishte e qartë se kush qëndronte pas sulmit të vijueshëm. FBI tha të dielën se ishte në dijeni të sulmeve dhe po punonte ngushtë me partnerët e saj federalë dhe të sektorit privat, por nuk ofroi hollësi të tjera.