Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina ashpërson kontrollin ndaj agjencive kundër korrupsionit



Parlamenti i Ukrainës ka miratuar një ligj të ri që kufizon kompetencat dhe pavarësinë e dy agjencive kryesore kundër korrupsionit – Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO). Ligji, i propozuar nga partia në pushtet “Shërbëtorët e Popullit”, u miratua me 263 vota në një parlament prej 450 deputetësh, përcjell REL.

Sipas ligjit, Prokurori i Përgjithshëm do të ketë rolin dominues mbi SAPO-n, duke zëvendësuar kreun e deritanishëm të kësaj strukture. Për më tepër, Prokurori i Përgjithshëm do të ketë të drejtën të mbyllë raste që përfshijnë zyrtarë të lartë dhe të transferojë hetime nga NABU te agjenci të tjera.

Organizata Transparency International Ukrainë kritikoi ashpër votimin. “Me këtë vendim, Parlamenti jo vetëm që shkatërron një nga arritjet më të mëdha të pas Revolucionit të Dinjitetit – institucionet e pavarura kundër korrupsionit – por edhe minon besimin e partnerëve ndërkombëtarë,” thuhet në deklaratën e saj. Organizata i bëri thirrje presidentit Zelensky të vendosë veton për ta parandaluar zbatimin e ligjit.

Ligji u miratua në një moment delikat për agjencitë anti-korrupsion në Ukrainë. Vetëm pak ditë më parë, agjencia e sigurisë SBU arrestoi dy zyrtarë të NABU-së – një për dyshime spiunazhi për Rusinë dhe një tjetër për lidhje biznesi me entitete ruse. Bastisje dhe hetime janë zhvilluar edhe ndaj punonjësve të NABU-së, ndërsa vetë agjencia akuzoi SBU-në për tejkalim të kompetencave dhe përdorim të rasteve të parëndësishme si pretekst për ndërhyrje.

Ambasadorët e vendeve të G7 në Kiev shprehën shqetësime serioze për zhvillimet dhe deklaruan se do ta trajtojnë çështjen direkt me qeverinë ukrainase. Ata u takuan me drejtues të NABU-së dhe theksuan rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve që luftojnë korrupsionin.

Këto zhvillime kanë ngjallur frikën se përparimi i Ukrainës në luftën kundër korrupsionit është në rrezik, në një kohë kur vendi përballet me sfida të shumta të brendshme dhe të jashtme.