
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar lidhur me aksionin në Theth, duke theksuar se ndërhyrja e fundit nuk ka lidhje me mbrojtjen e zonave të mbrojtura, por me qëllime të tjera politike. E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Zhupa deklaroi se ligji i mëparshëm ndalonte ndërtimet në këto zona, por ishte mazhoranca që e ndryshoi për të favorizuar ndërtimet sipas interesave të saj.
“Ky është një mashtrim publik, pasi ligji ekzistues nuk lejonte ndërtimin në zonat e mbrojtura dhe ishte vullnet i qeverisë dhe i mazhorancës për të ndryshuar këtë ligj që të lejoheshin ndërtimet kudo,” u shpreh Zhupa.
Ajo tha se për këtë çështje i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke akuzuar qeverinë se po tenton të ndërtojë pa kufij dhe pa respektuar asnjë standard mjedisor.
“Jam në Gjykatë Kushtetuese pikërisht sepse Rama ka vullnetin për të ndërtuar kudo,” deklaroi ajo.
Zhupa përmendi si shembull konkret ndërtimet në Butrint dhe gjirin e Manastirit, ku sipas saj janë realizuar projekte ndërtimi duke nxjerrë këto territore nga statusi i zonave të mbrojtura.
“Rama jo vetëm ka ndërtuar, por ka edhe projekte në zonat e mbrojtura, siç është pika e vogël e Mirela Kumbaros në Butrint, një kompleks i madh vilash në gjirin e Manastirit. E nxorrën nga zona e mbrojtur pikërisht për të ndërtuar,” tha Zhupa.
Sipas saj, rasti i Aeroportit të Vlorës është një tjetër shembull i shkeljes së hapur të ligjit, pasi ky aeroport është ndërtuar në një zonë të mbrojtur, pavarësisht kundërshtimeve ndërkombëtare.
“Aeroporti i Vlorës bëhet në një zonë të mbrojtur, ku ka reaguar Konventa e Bernës dhe Progres Raporti i BE-së,” theksoi deputetja demokrate.
Në përfundim, Zhupa nënvizoi se realiteti është i qartë: ndërtimet në zonat e mbrojtura po bëhen masivisht, përmes ndryshimeve të qëllimshme të legjislacionit dhe se aksioni në Theth nuk ka të bëjë me ruajtjen e natyrës, por është një veprim i motivuar politikisht.