Vendosni fjalën kyçe....

Rama paralajmëron ndjekje penale për zyrtarët e IKMT që fshehin ndërtimet pa leje


Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj strukturave përgjegjëse për menaxhimin e territorit, duke theksuar se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që nuk denoncojnë ndërtimet pa leje në zonat që mbulojnë.

Në një deklaratë publike, Rama bëri me dije se një rregullore e miratuar më parë nga Bashkia e Tiranës për menaxhimin e hapësirës publike do të adaptohet në nivel kombëtar. Kjo rregullore, sipas tij, do t’u shërbejë inspektorëve të Mbrojtjes së Territorit, policisë bashkiake, policisë së shtetit, por edhe vetë qytetarëve.

“Kur bëhet fjalë për zhvillime që zgjasin me javë e muaj dhe askush nuk i denoncon, kjo nuk është neglizhencë, por bashkëfajësi,” u shpreh Rama. “Njerëzit që përfaqësojnë shtetin nuk mund të luajnë me dy porta.”

Ai theksoi se përgjegjësitë për kontrollin dhe raportimin e ndërtimeve pa leje do të ndahen qartë mes institucioneve. Edhe pse policia e shtetit nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë mbi lejet e ndërtimit, do të jetë e detyruar të informohet dhe të informojë nëse një ndërtim është apo jo i ligjshëm.

Ndërkohë, për strukturat si IKMT dhe policia bashkiake, por edhe për inspektorët që firmosin akt-kontrolle, Rama paralajmëroi ndjekje penale në rast abuzimi.

“Të gjithë ata që firmosin akt-kontrolle sipas qejfit të ndërtuesve, për hapësira apo volum që nuk figuron në lejen e ndërtimit, do të përballen me ndëshkime penale,” deklaroi kryeministri.

Ai përfundoi duke thënë se rregullorja e re kombëtare do të forcojë përgjegjësinë e çdo hallke të administratës dhe do të ulë në minimum hapësirat për abuzime në ndërtim.