Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqtari Gerd Hoxha denoncon kandidatin për kreun e BKH; ka CV me probleme


Një denoncim i drejtpërdrejtë ka ardhur sot nga gjyqtari Gerd Hoxha, i cili ka ngritur akuza ndaj një prej kandidatëve për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Altin Kërluku, duke deklaruar se ky i fundit ka pasur probleme në të kaluarën.

Në denoncimin e vet drejtuar Komisionit të Posaçëm të Verifikimit të Emrit dhe Pasurisë, gjyqtari Hoxha kërkon informacion mbi kandidimin e shtetasit Elton Kërluku, përjashtimin nga gara të tij për kreun e BKH-së, si edhe nisjen e hetimit disiplinor dhe penal nëse ka vend, për këtë shtetas.

Në vijim, përgjatë denoncimit, Hoxha nxjerr në pah edhe faktet që penalizojnë kandidimin e Kërlukut.

Në letër Hoxha shkruan se nga burime të hapura ai ka mësuar se shtetasi Elton Kërluku ka qenë punonjës i Policisë së Shtetit dhe me urdhërin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është përjashtuar nga policia me motivacionin: “shkejle e betimit, shkelje me dashje te normave të detyrës dhe abuzime të rënda me atributet e Policisë së Shtetit”, urdhër i cili është ankimuar fillimisht në gjykatë nga Kërluku, por i lënë në fuqi nga Apeli.

“2. Nga burime të hapura – portalet weblajm.com dhe cna.al kam mësuar se, shtetasi Elton Kërluku ka qenë punonjës i Policisë së Shtetit dhe me urdhërin nr.934/4, dt.11.10.2004 Të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është përjashtuar nga policia me motivacionin: shkejle e betimit, shkelje me dashje te normave të detyrës dhe abuzime të rënda me atributet e Policisë së Shtetit, sipas dispozitave të ligjit nr. 8553, datë 25.11.1999 “Për Policinë e Shtetit” dhe Rregullores së Disiplinës së Policisë miratuar me vendimin nr. 279, datë 02.06.2000 të Këshillit të Ministrave.

3.Ky vendim është ankimuar fillimisht nga shtetasi Elton Kërluku në Gjykatën e shkallës së parë Tiranë, duke anullar Urdhënrin e përjashtimit nga Policia e Shtetit. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin e saj nr. 829, datë 06.09.2005.”- thuhet në letrën e Hoxhës.

Për këtë arsye gjyqtari Hoxha kërkon që të zbatohen “Përcaktimi i kushteve dhe kriteret shtesë që duhet të përmbushin shtetasit për t’u emëruar, transferuar apo për t’u ngritur në detyrë si gjyqtarë ose punonjës pranë gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorë dhe punonjës pranë Prokurorisë së Posaçme, si dhe për t’u punësuar pranë Njësisë së Pavarur Hetimore.”

Hoxha rendit më poshtë njëri pas tjetrit të gjitha ligjet, të cilët janë kriter i domosdoshëm që një kandidat duhet të pranohet pranë BKH-së apo strukturave të tjera të SPAK-ut, duke theksuar se janë të domosdoshme që të zbatohen që një figurë të jetë e “panjollë”.

Theksojmë se gjyqtari Gerd Hoxha u penalizua në garën për kreun e GJKKO për një foto rastësore me kryebashkiakun Veliaj në një pritje të ambasades britanike; ku Kërluku ka qenë kryesuesi i Komisionit të Posaçem që “denoncoi” gjasmë foton problematike./ Hashtag.al