Vendosni fjalën kyçe....

167 aplikime për administratën e Bashkisë Shkodër – afati i fundit më 25 korrik


Rreth 167 qytetarë kanë aplikuar deri më tani për t’u bërë pjesë e administratës së Bashkisë Shkodër, pas hapjes së disa vendeve të lira pune të krijuara nga dorëheqje masive në disa sektorë dhe njësi administrative.

Kreu i bashkisë, Benet Beci, përmes një postimi në Facebook, ka ripërsëritur thirrjen për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në shërbim të komunitetit. Ai i ka ftuar qytetarët të sjellin eksperiencën, energjinë dhe idetë e tyre për zhvillimin e qytetit dhe të gjithë territorit të Shkodrës.

“Bashkia e hapur për profesionistët dhe për të gjithë ata që e duan Shkodrën,” shkruan Beci në njoftimin e tij.

Afati i fundit për të aplikuar është data 25 korrik, ndërsa aplikimi mund të bëhet shumë lehtë duke dërguar një CV në adresën elektronike info@bashkiashkoder.gov.al ose përmes faqes zyrtare: www.bashkiashkoder.gov.al.

Pozicionet janë të hapura për profile të ndryshme si: arkitektë, inxhinierë, ekonomistë, juristë, zjarrfikës, punonjës të Policisë Bashkiake, si dhe shumë profesione të tjera.

Ky proces i hapur pritet të sjellë risi dhe energji të re në administratën vendore, duke iu përgjigjur sfidave të zhvillimit të qytetit dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.