
Numri i të vdekurve nga një aksident me varkë turistike në Gjirin Halong të Vietnamit u rrit në të paktën 38, me disa persona ende të zhdukur, tha qeveria, ndërsa ekipet e shpëtimit vijuan të kërkonin të mbijetuar.
Anija u përmbys të shtunën pasdite dhe kishte në bord 48 turistë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit në një nga aksidentet më të rënda me varka vitet e fundit në zonën turistike të njohur, shkruan Reuters.
“Të paktën 38 nga ata në bord janë konfirmuar të vdekur dhe 10 janë shpëtuar”, tha qeveria në një deklaratë.
Agjencia zyrtare e lajmeve të Vietnamit raportoi se të gjithë turistët ishin vietnamezë, përfshirë disa fëmijë.
Dhjetëra ekipe shpëtimi, përfshirë roje kufitare, personel të marinës, policë dhe zhytës profesionistë, janë vendosur në zonën e ngjarjes. Edhe pse deti ishte qetësuar, kushtet e motit kufizuan dukshmërinë, duke i bërë të vështira operacionet e shpëtimit.
Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin varkën e fundosur, tha qeveria.
Aksidenti ndodhi rreth orës 14:00 të shtunën, menjëherë pasi tajfuni Wipha hyri në Detin e Kinës Jugore.