
Administrata e ish-presidentit Barack Obama manipuloi qëllimisht inteligjencën për të akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, sipas dokumenteve të sapo deklasifikuara të publikuara të premten nga drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të Amerikës, Tulsi Gabbard.
Gabbard zbuloi më shumë se 100 faqe email-esh, memorandumesh dhe komunikimesh të brendshme, të cilat ajo i përshkroi si “prova dërrmuese” të një përpjekjeje të bashkërenduar nga zyrtarë të lartë të epokës së Obamës për të politizuar inteligjencën dhe për të nisur hetimin shumëvjeçar të bashkëpunimit Trump-Rusi. Ajo e quajti atë “një komplot tradhtar për të përmbysur vullnetin e popullit amerikan”.
Skandali dëmtoi rëndë marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit, duke çuar në sanksione, sekuestrime asetesh dhe një prishje të diplomacisë së zakonshme.
“Ky informacion u shndërrua në armë,” tha Gabbard.
“U përdor si justifikim për shpifje të pafundme, për sanksione nga Kongresi dhe për hetime të fshehta.”
Ajo shtoi: “Kur vlerësimet kryesore të brendshme zbuluan se Rusia ‘nuk ndikoi në rezultatet e zgjedhjeve të fundit në SHBA’, këto gjetje u shtypën.”
“Për muaj të tërë para zgjedhjeve të vitit 2016, Komuniteti i Inteligjencës pohoi se Rusisë i mungonte si qëllimi ashtu edhe aftësia për të hakeruar zgjedhjet në SHBA,” vuri në dukje Gabbard.
“Por sapo fitoi Presidenti Trump, gjithçka ndryshoi.”

Një dokument – një draft i Përmbledhjes Ditore të Presidentit të datës 8 dhjetor 2016 – deklaroi se Rusia “nuk ndikoi në rezultatet e zgjedhjeve të fundit në SHBA” përmes sulmeve kibernetike. Raporti, i përgatitur nga CIA, NSA, FBI, DHS dhe agjenci të tjera, nuk gjeti prova të ndërhyrjes në votim, shkruan RT.
Megjithatë, Fox Neës raportoi të premten se dokumenti u tërhoq – “bazuar në udhëzime të reja”, sipas emaileve të brendshme. Orë më vonë, u zhvillua një takim i nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë, ku morën pjesë zyrtarë, përfshirë kreun e Inteligjencës Kombëtare James Clapper, drejtorin e CIA-s John Brennan, këshilltaren e sigurisë kombëtare Susan Rice, zëvendësdrejtorin e FBI-së Andrew McCabe dhe prokuroren e përgjithshme Loretta Lynch.
Sipas shënimeve të deklasifikuara, pjesëmarrësit ranë dakord të hartonin një vlerësim të ri të inteligjencës me kërkesë të Presidentit Obama. Ky raport, i publikuar më 6 janar 2017, pretendonte se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje për të ndihmuar Donald Trump – duke kundërshtuar drejtpërdrejt vlerësimet e mëparshme.

Gabbard pretendon se vlerësimi i rishikuar mbështetej në Dosjen e diskredituar Steele – të përpiluar nga një ish-spiun britanik – duke lënë mënjanë pikëpamjet kundërshtuese brenda aparatit të inteligjencës.
“Kjo nuk ishte mbledhje inteligjence,” deklaroi Gabbard, “ishte ndërtimi i një narrative.”
E konfirmuar në krye të Inteligjcnës Kombëtare në fillim të këtij viti – pas një procesi të diskutueshëm – Gabbard thotë se ia ka dërguar dokumentet Departamentit të Drejtësisë. Ajo ka kërkuar hetime ndaj ish-drejtorit të CIA-s John Brennan dhe ish-drejtorit të FBI-së James Comey, të cilët thuhet se po përballen me hetime penale.
“Pavarësisht se sa të fuqishëm janë, çdo person i përfshirë duhet të sillet para drejtësisë”, theksoi ajo. “Integriteti i kombit tonë varet nga llogaridhënia. Integriteti i republikës sonë demokratike varet nga llogaridhënia e plotë”, përfundoi Gabbard.
“Asgjë më pak nuk do rivendosë besimin e publikut dhe do sigurojë që asgjë e tillë të mos ndodhë më kurrë.”
