
Një ngjarje ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin bregdetar të Shëngjinit, ku një 32-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një incidenti të dyshuar elektrik në zonën e shëtitores, pranë bustit “Willson”.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:45, kur shtetasi Z. L., banues në fshatin Mërqi të Lezhës, ka rënë nga një lartësi në një skelet ndërtimi. Dyshohet se ai ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, çka më pas ka shkaktuar rrëzimin dhe përplasjen fatale me tokën. Fatkeqësisht, i riu ka ndërruar jetë në vend.
Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e sakta të këtij incidenti tragjik. Ende nuk ka informacion të detajuar mbi përgjegjësitë e mundshme apo rregullsitë ligjore të punimeve në këtë zonë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin afrimin në zona ndërtimi të pasigurta, ndërsa hetimet pritet të nxjerrin më shumë detaje në orët në vijim.