Vendosni fjalën kyçe....

“Apliko po ta mbajti” – Auron Tare e quan arrogante mënyrën e komunikimit të AADF për tenderin e Butrintit


Një postim i bërë nga Martin Mata, kreu i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ka nxitur reagime pas mënyrës se si ai e ka promovuar tenderin për shërbimet e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun në Butrint.

Në një postim në Facebook, Mata ka shpërndarë njoftimin zyrtar të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (BMF), duke e shoqëruar me frazën “Apply if you dare and fit!” (Apliko po ta mbajti dhe nëse bën!). 

Historiani dhe ish-drejtori i Parkut të Butrintit, Auron Tare, ka reaguar ndaj këtij postimi, duke e cilësuar si një shembull flagrant të injorancës provinciale dhe mospërfilljes ndaj një pasurie të rrallë botërore.

“Vetëm një karagjoz provincial mund të postojë kështu thagma duke treguar injorancën dhe arrogancën karshi Butrintit,” shkruan Tare në një koment publik.

Ai shton se një gjuhë e tillë nuk do të tolerohej në vende si Greqia apo Italia, ku monumente të tilla si Akropoli apo Koloseu trajtohen me seriozitet dhe dinjitet institucional.

“Imagjinoni nëse tallen kështu me Akropolin e Athinës apo me Koloseun e Romës dhe çfarë do të bënte opinioni publik,” vijon Tare.

Kujtojmë se tenderi i shpallur nga BMF përfshin shërbime të komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun për Parkun Kombëtar të Butrintit, me afat aplikimi deri më 8 shtator 2025, në orën 10:00.