
WhatsApp rrezikon të ndalohet shumë shpejt në Rusi, ndërsa autoritetet shtetërore po ashpërsojnë kufizimet ndaj platformave digjitale që i konsiderojnë të lidhura me “shtete armiqësore”. Paralajmërimi vjen nga Anton Gorelkin, zëvendëskryetar i Komitetit të Dumës për Politika të Informacionit, i cili shkroi në Telegram: “Është koha që WhatsApp të përgatitet për t’u larguar nga tregu rus.”
Sipas tij, aplikacioni në pronësi të kompanisë Meta mund të përfshihet në listën e platformave të ndaluara, për shkak të lidhjeve me Perëndimin. Që nga një dekret i presidentit Vladimir Putin më 2021, Rusia ka ndërtuar një listë të “shteteve armiqësore”, e cila fillimisht përfshinte SHBA-në dhe Çekinë, por është zgjeruar ndjeshëm pas nisjes së luftës në Ukrainë, duke përfshirë gjithë Bashkimin Evropian, përcjell REL.
Paralelisht me këtë kurs izolues, autoritetet ruse kanë avancuar një ligj për krijimin e një aplikacioni shtetëror për mesazhe, i quajtur përkohësisht “Max”, që do të përdoret për komunikimin brenda institucioneve shtetërore.
Në vijim të shtypjes së lirisë së fjalës, Parlamenti rus miratoi së fundmi një ligj që dënon çdo kërkim të përmbajtjes “ekstremiste” në internet me gjobë 64 dollarë. Në shënjestër janë vënë platformat që kritikojnë pushtetin, përfshirë Fondacionin kundër Korrupsionit të liderit të ndjerë opozitar Aleksei Navalny.
Kjo masë është pjesë e një strategjie më të gjerë për rritjen e kontrollit mbi internetin dhe informacionin që qarkullon në Rusi, duke shtuar ndjeshëm censurën në vitet e fundit.