Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Mossad-it viziton Uashingtonin për të kërkuar mbështetje në zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza



Kreu i agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad, David Barnea, ka vizituar këtë javë Uashingtonin, në përpjekje për të siguruar mbështetjen e administratës Trump për një plan shumë të diskutueshëm: zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, përcjell Jerusalem Post.

Sipas burimeve, Barnea i ka thënë të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, se disa vende – përfshirë Etiopinë, Indonezinë dhe Libinë – kanë shprehur “hapje” për të pranuar një numër të madh palestinezësh nga Gaza.

Plani është cilësuar si tejet i debatueshëm dhe është kritikuar nga ekspertë izraelitë dhe amerikanë të së drejtës ndërkombëtare, të cilët e kanë përshkruar atë si një krim lufte, nëse do të zbatohej me detyrim. Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe kabineti i tij kanë këmbëngulur se çdo “relokim” do të ishte vullnetar.

Barnea ka kërkuar që SHBA të ofrojë stimuj ekonomikë dhe diplomatikë për vendet që pranojnë këtë plan dhe ta mbështesë Izraelin në realizimin e tij. Deri tani, nuk është e qartë nëse administrata Trump do të japë mbështetjen e saj.

Ky zhvillim lidhet me një plan të mëparshëm të propozuar nga vetë presidenti Donald Trump në shkurt të këtij viti, i cili sugjeroi që SHBA të merrte përkohësisht kontrollin e Gazës dhe të zhvendoste rreth dy milionë banorë gjatë rindërtimit të rajonit. Propozimi i tij u kundërshtua gjerësisht nga vendet arabe dhe nga disa aleatë perëndimorë, ndonëse u përkrah nga qeveria e Netanyahut.

Sipas Axios, administrata Trump i ka bërë të qartë Izraelit se, nëse dëshiron të ndjekë këtë ide, atëherë duhet të gjejë vende të gatshme për të strehuar palestinezët – detyrë që më pas Netanyahu ia ka deleguar Mossad-it.

Ky plan pritet të nxisë debat të madh në arenën ndërkombëtare, pasi çdo lëvizje masive e popullsisë nga Gaza mund të ketë pasoja të mëdha politike, ligjore dhe humanitare.