
24 vatra zjarri janë raportuar në vend 24 orët e fundit, me disa prej tyre që janë ende aktivë.
Zjarret nuk janë shuar ende në Dibër, Fier e Vlorë ku janë djegur sipërfaqe të shumta toke, shkurre, bimësi e ullinj.
“Në total janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe më shumë se 3,000 rrënjë ullinj. Në terren janë angazhuar 57 mjete zjarrfikëse, 538 forca operacionale, si dhe 2 helikopterë që ndërhynë nga ajri ditën e djeshme. Ndërkohë, që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, 50 trupa të Forcave të Armatosura dhe pesë automjete zjarrfikëse me personel janë vendosur në zonat më problematike.
Zjarri më i përhapur vijon të jetë në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër, ku dy vatra janë ende aktive – njëra në afërsi të Gurë Lurës dhe tjetra pranë kanalit të ujit të HEC-it, e cila po monitorohet. Një vatër tjetër në krahun e Malit të Dejës po përhapet me shpejtësi drejt bashkisë Mat.
Në Bulqizë, në zonën e Malit të Peladhisë, flakët kanë përfshirë rreth 32 hektarë, ndërsa një vatër aktive mbi fshatin Vlash po mbahet nën kontroll.
Në Fier dhe Mallakastër, zjarri në zonën Drenovë–Gorishovë vijon të jetë sfidues për shkak të erës dhe terrenit të thyer, duke rrezikuar ullishtet e fshatit Gorishovë.
Në Borsh të Himarës, flakët që përfshinë një sipërfaqe pyjore nuk janë izoluar plotësisht, megjithëse puna vijon me mbështetjen e ushtrisë.
Instituti i Gjeoshkencave njofton se nuk priten reshje, ndërsa rreziku për zjarre mbetet i lartë në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër. Strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë çdo vatër pranë shërbimeve emergjente në numrin 112.”