Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret përfshijnë 16 bashki – 381 hektarë të djegur, situata mbetet kritike në disa zona


Situata e zjarreve në vend vazhdon të jetë alarmante, me 17 vatra të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, prej të cilave katër vijojnë ende aktive. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore dhe me bimësi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Zjarret janë regjistruar në 16 bashki të vendit, përfshirë Dibër, Bulqizë, Mat, Vau i Dejës, Mallakastër, Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Përmet, Himarë, Finiq, Krujë, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë dhe Berat. Deri më tani janë djegur mbi 381 hektarë dhe mbi 1000 rrënjë ullinj.

Vatrat ende aktive:

  • Parku Kombëtar Lurë, Dibër: Zjarri në zonën “Liqeni i Luleve” ka përfshirë rreth 200 hektarë me pyje pishe dhe ahu. Në terren janë angazhuar 30 forca vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

  • Mali i Peladhisë, Bulqizë: Në Zerqan vijon përpjekja për shuarjen e zjarrit, që ka djegur rreth 30 hektarë me shkurre dhe bimësi.

  • Qafa e Laçit, Vau i Dejës: Prej 15 korrikut, zjarri ka përfshirë rreth 25 hektarë me lisa dhe dushqe. Terreni i thepisur e bën të vështirë ndërhyrjen.

  • Drenovë, Mallakastër: Zjarri në afërsi të një pusi gazi ka djegur mbi 120 hektarë me bimësi dhe ullinj. Në operacion janë angazhuar 36 forca vendore, 40 ushtarë dhe helikopteri Cougar.

Në të gjithë territorin janë në veprim 288 forca operacionale, 27 mjete zjarrfikëse dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura që nga ora 06:00 e mëngjesit.

Strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, ndërsa parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave sinjalizojnë një nivel të lartë rreziku për zjarre në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë çdo vatër tek shërbimet zjarrfikëse, duke theksuar rëndësinë e reagimit dhe ndërgjegjësimit qytetar për parandalimin e përhapjes së flakëve.