Vendosni fjalën kyçe....

Meta pas vendimit të Apelit: Telenovelë drejtësie me regji politike, nuk kanë prova dhe as do të kenë


Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas refuzimit të kërkesës së tij për lehtësimin e masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm. Në një postim në Facebook, Meta e cilëson vendimin si pjesë të një “telenovele drejtësie me regji” dhe akuzon SPAK-un se po vepron me urdhra politikë të Partisë Socialiste.

Meta falënderoi avokatin e tij, Kujtim Cakrani, për përpjekjet në sallën e gjyqit, duke theksuar se:

“Harxhoi dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë për të dëgjuar dhe as integritet për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin. Edhe muret dëgjojnë.”

Sipas tij, i gjithë procesi është i regjistruar dhe i kontrolluar nga SPAK, të cilin ai e akuzon se “vepron me urdhra të marra nga tribuna e Asamblesë së PS-së”.

Meta deklaron se ndaj tij nuk ka asnjë provë dhe as nuk mund të shpiken prova:

“As kanë pasur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë.”

Ai shprehet i gatshëm për përballje në gjykatë dhe thotë se pret me padurim nisjen e procesit për të “zbuluar të vërtetën para gjithë Shqipërisë dhe botës”, duke risjellë në vëmendje çështjen CEZ-DIA, për të cilën thotë se po përdoret si mjet shantazhi politik që nga koha kur ishte President i Republikës.

Meta mohon çdo përpjekje për intimidim të dëshmitarëve apo fshehje provash, duke e quajtur këtë një betejë për të gjithë shqiptarët:

“Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për një drejtësi që nuk ka lidhje me shtetin e së drejtës.”