Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi i Kosovës dështon për herë të 48-të, pritet marrëveshje mes Limajt dhe Kurtit


Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk arritën as në përpjekjen e radhës të enjten ta konstituojnë legjislaturën e re, duke e çuar në 48 numrin e dështimeve që nga 15 prilli. Ndonëse afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit përfundon më 26 korrik, palët politike mbeten të ndara dhe ngërçi vazhdon, përcjell REL.

Shpresa për një marrëveshje të mundshme është rritur pas deklaratave të deputetes së Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, e cila tha se pret një takim mes liderit të partisë së saj, Fatmir Limaj, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fundjavës. Sipas saj, Limaj mund të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, si pjesë e një kompromisi për t’i dhënë fund bllokadës.

Në seancën e fundit, partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan sërish të propozojnë anëtarë për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit, duke e konsideruar këtë procedurë në kundërshtim me Kushtetutën. Ndërkohë, Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me 48 ulëse, e konsideron votimin e fshehtë si tërësisht të ligjshëm dhe i qëndron kandidaturës së Albulena Haxhiut.

Ndërhyrjet e presidentes Vjosa Osmani përmes takimeve me partitë nuk kanë prodhuar ende rezultat. Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, bëri të ditur se po shqyrtohen mundësitë ligjore për t’i kërkuar Gjykatës Kushtetuese sqarime për pasojat nëse afati 30-ditor nuk respektohet.

Ngërçi i tanishëm buron nga rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 9 shkurtit, ku asnjëra parti nuk siguroi shumicën për të qeverisur e vetme. Vetëvendosje mori 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9. Deri në konstituimin e Kuvendit nuk mund të formohet qeveria e re. Seanca e radhës pritet të mbahet më 19 korrik.