Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret në Dibër dhe Bulqizë jashtë kontrollit, autoritetet kërkojnë ndërhyrje nga ajri


Situata e zjarreve në qarkun e Dibrës vazhdon të përkeqësohet, me dhjetëra vatra aktive dhe qindra hektarë pyje të përfshirë nga flakët. Për të dhjetën ditë me radhë, zjarret po shkatërrojnë zona me pyje halore dhe dushqe, ndërsa përpjekjet për izolimin e tyre mbeten të vështira dhe shpesh të pamundura për shkak të terrenit të thepisur dhe erës së fortë.

Situata më kritike raportohet në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, ku zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe po përhapet me shpejtësi në një perimetër të gjerë. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me pyll dhe vegjetacion, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen efektive nga toka.

Në terren janë angazhuar forca të shumta nga pushteti vendor, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Bashkia Dibër dhe Forcat e Armatosura. Megjithatë, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe rrezikut të lartë për personelin, ndërhyrja mbetet shumë e kufizuar dhe e rrezikshme.

Edhe në Bulqizë situata është alarmante. Vatra në malin e “Vlashajt”, në njësinë Shupenzë, është jashtë kontrollit. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit në disa drejtime, duke përfshirë dhe zona mbi fshatin Godvi, çka ka shtuar shqetësimet për sigurinë e banorëve.

Zjarrfikësit e Bashkisë Bulqizë, punonjësit e shërbimit pyjor dhe vetë banorët janë përfshirë në përpjekjet për ndalimin e përparimit të flakëve, por terreni i thyer dhe kushtet atmosferike po i bëjnë përpjekjet thuajse të pamundura.

Autoritetet vendore kanë ngritur alarmin dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga ajri, pasi mjetet tokësore nuk mund të përballojnë përmasat e zjarreve. Dëmi ekonomik deri tani është i konsiderueshëm dhe vazhdon të rritet nga dita në ditë, ndërsa rreziku për zonat e banuara dhe biodiversitetin e mbrojtur në park është gjithnjë e më i lartë.