
Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin Log. në News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit në politikën shqiptare, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se orkestron dhe kontrollon të gjithë debatin publik, ndërkohë që opozita sipas tij, mungon në strategji dhe agjendë.
Shehaj theksoi se që prej vitit 2017, kur hyri në politikë, opozita nuk ka pasur një plan të qartë për të imponuar një agjendë publike, ndërsa nga ana tjetër Rama, që prej vitit 2013, e ka ndërtuar dhe ndjekur me saktësi axhendën e vet politike dhe mediatike.
“Debati politik orkestrohet nga Rama, kjo nuk është çudi, sepse ndodh që nga 2013. Ajo që më bëri më shumë çudi, kur u bëra pjesë e politikës në 2017, ishte se opozita nuk kishte një agjendë politike, nuk kishte një plan mediatik, si do të impononte agjendën e vet në opinionin publik. Natyrisht që nuk është e lehtë, sepse Edi Rama kontrollon praktikisht çdo gjë. Edhe aty ku nuk ka kontroll absolut, ka ndikim në media apo në të tjera gjëra,” – u shpreh Shehaj.
Duke marrë shembull aksionin për lirimin e hapësirave publike, Shehaj tha se veprimet e kryeministrit janë gjithnjë të planifikuara në funksion të përfitimeve politike dhe perceptimeve.
“Rama ka një plan të vetin dhe do ta implementojë atë. Nuk shkon direkt për t’u prishur banorëve të Thethit investimet e tyre, por e fillon nga Vlora. Dhe të gjithë habiten se si një ditë të bukur në Vlorë, ku ai kishte bërë fushatë, shfaqet duke kërkuar lirimin e hapësirave publike. Ai ka vajtur më shpesh se unë në Vlorë që jam vlonjat. E filloi nga Vlora sepse po ta fillonte direkt nga Thethi, do thonin e ka me malsorët, me Veriun që nuk e votoi. Pra, ai ka një plan gjithnjë,” – theksoi Shehaj.
Shehaj sugjeroi se lëvizjet e fundit të qeverisë duhet të shihen jo si veprime spontane, por si pjesë e një strategjie të mirëmenduar për të ruajtur balancat politike dhe për të shmangur konfliktet në zona të caktuara të vendit ku mbështetja për qeverinë është më e dobët.