
S. nuk i do shumë sportet. Vrapon ngadalë por e ka ndjerë shpejt kur e kanë bullizuar në klasë. E paduruar është bërë situata për të kur shokët e klasës e thërrasin “gay”. Mbyllet në vetvete dhe refuzon të shkojë në shkollë, megjithëse është një nxënës i mirë në mësime.
A. është rritur në një mjedis me shumë presion. I është ngulitur nga nëna se të tjerët po e bullizojnë, nën ndjesitë se qyteti e paragjykon atë dhe prindërit e saj, të cilët tashmë janë divorcuar. Shkëputet gradualisht nga shoqëria, duke pretenduar se po e bullizojnë, duke e thënë këtë gjë edhe pas çdo note që i vënë mësueset.
Por çfarë ndodhi me S. dhe A.? Me ta u punua.
U punua po ashtu me nxënësit në klasë për kuptimin e fjalës “gay” dhe për të shpjeguar fazat e rritjes seksuale si dhe paralelisht u punua me disiplinën pozitive dhe frymën e grupit, duke u fokusuar te mirëkuptimi që duhet të kenë ndaj ritmit dhe natyrës së ngadaltë të një personi tjetër. Po kështu, S.-së iu shpjegua kuptimi i fjalës duke i sqaruar se kjo fjalë është keqpërdorur nga fëmijët e klasës, si shenjë për të treguar që ai nuk është i shpejtë. Grupi i klasës u nxit për të ndërvepruar me njëri-tjetrin ndërkohë që me prindërit e S.-së u punua që t’i nxisnin atij gjithëpërfshirjen.
Për A. rrethi i grupit qe më i gjerë, jo vetëm klasa. U punua me stafin e shkollës ku shkonte dhe paralelisht me të ëmën për të mos i bërë më presion fëmijës. A. e kuptoi situatën e krijuar dhe u pajtua me miqtë. Me nënën ama nuk u punua dot më shumë pasi kishte nevojë për trajtim më të specializuar.
Po sikur fëmija juaj të gjendej në këtë situatë? Nipi apo mbesa? Po sikur mos të punohej me ta po situatat të kalonin në heshtje?
“Në shkollat shqiptare bullizmi nuk është thjesht një incident i rrallë është një histori që përsëritet çdo ditë, në heshtje. Nga kronikat televizive deri te postimet në rrjetet sociale, jemi dëshmitarë të rasteve ku fëmijë të moshave të ndryshme përjetojnë dhunë psikologjike, përjashtim social apo tallje sistematike në ambientet shkollore. Këto raste që shfaqen në media janë vetëm maja e ajsbergut, nën sipërfaqe fshihen realitete edhe më të rënda, që profesionistët i njohin mirë, por që shpesh kalojnë pa u parë e pa u trajtuar”, thotë për Gogo.al, Emanuela Ismaili, eksperte kundër bullizmit.
Bullizmi është shkaktimi i qëllimshëm dhe i përsëritur i shqetësimit ose dëmtimit ndaj të njëjtit individ. Ky është përcaktimi që bën programi finlandez kundër bullizmit, KiVa. Fëmija i bullizuar zakonisht ka më pak fuqi ose forcë fizike sesa bullizuesi ose bullizuesit. Më shpesh bullizmi përbëhet nga abuzimi verbal dhe tallja publike e objektivit, por merr edhe forma të tjera. Në bazë duhet të ketë një marrëdhënie të vazhdueshme midis bullizuesit dhe fëmijës së bullizuar dhe kjo marrëdhënie është e ngulitur më tej në mjedisin më të gjerë të bashkëmoshatarëve.
Por kujdes, bullizmi nuk është i njëjtë me ngacmimin. Ngacmimi bëhet për argëtim, nuk ka ndërmend të lëndojë, është për t’u dhënë të dyja palëve pak kënaqësi dhe ndalon nëse personi kundërshton ose mërzitet, kurse bullizmi përfshin talljen, e cila është e njëanshme, me qëllimin per të lënduar dhe vazhdon, edhe nëse personi tjetër është i lënduar ose i mërzitur, përcakton Programi Shqiptar kundër Bullizmit në Shkolla i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.
“Këto dallime janë thelbësore për të mos ngatërruar bullizmin me konfliktet e zakonshme që ndodhin mes bashkëmoshatarëve. Nëse e trajtojmë bullizmin si çdo konflikt tjetër rrezikojmë të bëjmë më shumë dëm sesa zgjidhje, ndaj është jetike ta kuptojmë si një fenomen më vete që kërkon një qasje të veçantë dhe të kujdesshme. Shkaqet? Mungesa e aftësive për të menaxhuar emocionet, niveli i ulët i empatisë, përjetimi i dhunës në familje, përfshirja në mjedise ku modeli dominues është autoritar, apo ndonjëherë një ndjenjë fuqie e keqpërdorur për të fituar kontroll apo vëmendje.”, shpjegon me kujdes ekspertja kundër bullizmit Ismaili.
Bullizmi është i përhapur në shkolla sepse shkollat ofrojnë një vend fizik, ku fëmijët mund të mblidhen duke pasur mundësi që edhe të mos mbikëqyren nga të rriturit. Në këtë hapësirë kolektive fëmijët kanë moshë e karakteristika të ndryshme.
Në Shqipëri një studim i vitit 2019 nga Këshilli i Europës nxori se rreth 20% e nxënësve janë përfshirë në bullizëm, ndërsa 19.4% e kanë përjetuar atë në mënyrë të përsëritur, të paktën 2–3 herë në muaj. Nga këta, 9.7% janë viktima, 5.2% pranojnë se kanë bullizuar të tjerët dhe 4.3% kanë qenë njëkohësisht viktima dhe bullizues.
Nga ana tjetër, raportet më të fundit të UNICEF-it dhe Institutit të Shëndetit Publik përqendrohen më shumë te dhuna në shkolla në përgjithësi, përfshirë edhe bullizmin. Sipas të dhënave të këtyre raporteve, të vitit 2023, 1 deri në 3 nxënës raportojnë se janë përballur me një formë bullizmi në vitin e fundit, ndërsa rreth 40% deklarojnë se kanë qenë dëshmitarë të bullizmit ndaj të tjerëve. Sipas studimit të UNICEF-it, 57 për qind e të rriturve besojnë se bullizmi në shkolla është shumë i zakonshëm, ndërsa 60 për qind besojnë se bullizmi kibernetik është shumë i përhapur.
Bullizmi kibernetik po pëson rritje në Shqipëri. 1 në 5 të rinj shqiptarë pranon se është bullizuar online sipas një studimi të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Sipas një raporti të platformës iSIGURT.al janë bërë 407 denoncime të incidenteve të ndeshura online gjatë vitit 2024, ku vihet re se vajzat vijojnë të mbeten viktimat kryesore të incidenteve online dhe të njëjtën kohë edhe raportueset kryesore të ngjarjeve të rënda të dhunës dhe shfrytëzimit në hapësirën dixhitale.
Pasojat për viktimat e bullizmit janë shumë të rënda por dhe afatgjata si ankthi, depresioni, vetëizolimi, vetëvlerësimi i ulët, frika për të marrë pjesë në aktivitete sociale, madje edhe mendime vetëvrasëse në rastet më të rënda, thotë ekspertja Ismaili. Fëmijët që përjetojnë bullizëm mund të mbartin plagët emocionale edhe në moshë madhore, duke ndikuar në mënyrën si ndërtojnë marrëdhënie dhe përballen me stresin.
“Nga ana tjetër, edhe fëmijët që bullizojnë janë në rrezik nëse nuk trajtohen në kohë, ata kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sjellje antisociale, të përfshihen në akte dhune apo krimi, të kenë vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme dhe, në disa raste, të përfundojnë në konflikte serioze me ligjin. Në thelb, bullizmi nuk është vetëm një problem i shkollës, është një sinjal alarmi për prindërit, për sistemin arsimor dhe për gjithë shoqërinë që po rrit fëmijë në një klimë ku ndjenja e pushtetit përdoret për të lënduar tjetrin. Kjo e bën ndërhyrjen e hershme thelbësore, jo për t’i ndëshkuar por për t’i kuptuar dhe orientuar drejt sjelljeve të shëndetshme.”, thekson ekspertja Ismaili.
Një studim i komunitetit suedez mbi të rritur, në moshën 16–24 vjeç tregon se 55% e fëmijëve që kanë bullizuar janë dënuar më vonë për një krim dhe 36% e tyre janë dënuar për të paktën tre vepra penale. Sipas “The Humanity Project”, një studim amerikan gjeti që 60% e djemve që kishin bullizuar në shkollë gjatë klasës së gjashtë deri në të nëntën, ishin dënuar më pas me të paktën një dënim penal deri në moshën 24 vjeç.
Në adoleshencë është vonë – Si shkolla në Rrëshen po u mëson fëmijëve empatinë
Në shkollën Nr.2 në Rrëshën dy punonjëse sociale kanë ardhur 1 herë në muaj për të folur me nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Takime të gjata me prindërit, aktivitete me 50 fëmijë dhe punë e ngushtë me 2 nga zyshat, të cilat kanë mësuar se si t’i mbajnë gjallë këto lloj aktivitetesh në vazhdimësi.
“Fëmijët kanë dëshirë të përfshihen në aktivitet, por bëjnë dhe naze, sepse bëhet fjalë për shkollë 9-vjeçare. Nga ana tjetër përfshirja e tyre në aktivitete u ndryshon ritmin e ditës, i sfidon pak, po edhe bën që të njihen më shumë me njëri-tjetrin. Patjetër që bëjnë edhe shaka, të ngacmojnë, është normale, por me qëllim që të njihen pak më shumë me njëri-tjetrin dhe të kenë një lloj afrimiteti me njëri-tjetrin në klasë. Ndonjëherë edhe e teprojnë por ka rëndësi që qëndrojnë në klasë dhe socializohen”, tregon Suela Koçibellinj për mënyrën se si po punojnë në klasat e shkollës.
Ajo thotë se forca e klasës është e madhe dhe nuk duhet nëpërkëmbur sepse fëmijët në klasë kalojnë shumë orë, për të cilat duhet punuar jo vetëm në pikëpamjet të mësimit por edhe për marrëdhënie të shëndetshme mes nxënësve.
A ka patur raste konkrete që janë zgjidhur, e pyesim punonjësen sociale Koçibellinj e ajo na rrëfen se po, duke nisur nga konflikte të forta deri edhe ato fiziket si dhe raste bullizmi, kur kanë arritur t’i sheshojnë me metoda të ndryshme por po ashtu na tregon se jo gjithmonë ia kanë dalë. “Megjithëse mësuesit nuk kanë heshtuar por kanë reaguar të parët duke njoftuar prindërit për të sheshuar situatën, ka patur raste kur prindi ka hequr fëmijën nga shkolla dhe janë larguar nga qyteti.”, rrëfen më tej psikologia.
“Zgjidhja kryesore që ne kemi dhënë ka qenë ideja që ne të flasim për bullizmin, ta kuptojmë, që të mos ta lëmë në heshtje. Pra, të ketë një lloj reagimi, vëmendje kur ka një situatë bullizuese në shkollë dhe jo të normalizohet. Megjithëse është problematike situata të mos bëjmë sikur nuk e shohim, mos ta shmangim, mos ta përjashtojmë por ta referojmë te njerëz që kemi të angazhuar. Fare thjeshtë gjetja e 1 apo 2 mësuesve shumë empatike dhe të dedikuara në shkollë dhe angazhimi i tyre në aktivitete për të fuqizuar nxënësit”, tregon punonjësja sociale për mënyrën se si po përpiqen ta zgjidhin.
“Të gjjtha studimet tregojnë që empatia nuk mësohet në adoleshencë, mësohet që në momentet e para të jetës, që te barku i mamit fillon e i kultivohet fëmijës. Nuk guxoj të them që u kemi mësuar fëmijëve në Rrëshen empatinë por aty janë 3-4 mësuese shumë të mira, të cilat kanë vetë nivel të lartë empatie dhe po mundohen ta transmetojnë te fëmijët. Kjo e ndërthurur me një sërë aktivitetesh që ne po bëjmë aty, duke angazhuar fëmijët në më të mirën e të brendshmes së tyre për të qenë empatikë. Për shembull kemi bërë një aktivitet për Pashkën, duke lyer vezët, duke luajtur me njëri-tjetrin.”, thotë më tej Koçibellinj nga organizata “Vizion”.
Nga ana tjetër, ndërhyrja në këtë rast ka qenë edhe e lidhur me takimet me mësuesit që edhe atyre t’u njihen sfidat që kanë në raport me nxënës që shpërthejnë, mësuesit të dëgjohen, të ndjehen të relaksuar për të bërë punën e tyre
“Ka qenë shpeshherë një takim miqësor me mësuesit jo për t’u mësuar atyre si ta bëjnë punën e tyre po për t’i ftuar për të reaguar bashkarisht ndaj nxënësve, për të dëgjuar sfidat e tyre.”, vazhdon të tregojë psikologia, e cila shton se edhe prindërit që kanë një nivel edukimi duan të kenë më shumë informacion, të angazhohen, të dëgjojnë.
“Pastaj ka patur dhe prindër që thonë “Kështu bën i imi”, duke mos i kuptuar as ata vetë pasojat që mund të çojnë nga sjellja e fëmijës së tyre”, thekson punonjësja sociale.
Por kjo zgjidhje ka kufizimet e saj. Së pari sepse duhet analizuar me studime efekti në Shqipëri dhe së dyti se nuk mjafton vetëm një shkollë apo 2-3 eksperte që punojnë vullnetarisht si Suela Koçibellinj për të zgjidhur në mënyrë sistemike bullizmin në të gjitha shkollat e vendit.
“Faktikisht me rininë kemi punuar me disa shkolla edhe në Bashkinë e Dibrës, edhe në Bashkinë e Matit, edhe të Klosit, edhe të Bulqizës, po kryesisht në kuadër të projekteve te tjera e pastaj brenda tyre ne fusim edhe pjesen e ndërgjegjësimit në lidhje me bullizmin, marrëdhëniet që kanë me njëri-tjetrin, komunikimin pozitiv”, përfundon Suela Koçibellinj.
Alo 116 – Një linjë këshillimi vetëm një telefonatë larg
Nëse nuk studion në shkollën e Rrëshenit apo nuk ke një fëmijë që e çon atje për të mësuar, ke mundësi të përfitosh nga një zgjidhje tjetër, në kryeqytet. Një linjë këshillimi për bullizmin vetëm një telefonatë larg.
Aty takojmë Klaudio Pulahën, që na tregon si punojnë, duke patur kujdesin maksimal për të mos na treguar asnjë detaj nga situatat që trajtojnë, sepse do të thyenin konfidencialitetin.
Kështu pra, linja e këshillimit “Alo 116” trajton nga afër disa nga shqetësimet e fëmijëve, të cilët marrin garancinë e ruajtjes së anonimatit për të kërkuar ndihmë. Duke i dëgjuar problemet nga zëri i tyre teksa rrëfejnë për fjalë që i kanë lënduar vazhdimisht, shantazh me foto të ndryshme në rrjete sociale marrin ndihmë nga ekspertët. Thirrjet vijnë nga vetë fëmijët apo prindërit por edhe nga shkollat.
“Dikur fqinjët nese shikonin diçka te një fëmijë informonin prindin e tij në darkë por tani kjo ndodh shumë pak. Jemi bërë indiferentë”, shprehet Pulaha për realitetin e ri, ku prindërit i rrisin tashmë fëmijët e tyre. Pulaha vëren madje se ka patur raste që dhe shkollat i mbylln konfliktet së brendshmi pa njoftuar drejtuesit e institucionit apo pa marrë ekspertizën e duhur.
Si funksionon zgjidhja që u japin ata situatave?
“Në rast të raportimit të një ngjarje me rrezik të mesëm apo të lartë shkolla shikon që fëmija duhet të marrë një ndërhyrje më të specializuar apo të ndiqet përtej shkollës. Nëse vjen rasti në 116 këshilluesit e vlerësojnë nëse është për t’u adresuar në shkollë apo te Punonjësi i Mbrojtjes së Fëmijëve pasi t’u ketë marrë leje fëmijëve. Ne zbërthejmë gjithë historikun, pastaj bëjmë referimin.
Kemi raste kur fëmijët nuk kanë besim te psikologia e punonjësja sociale apo vetë fëmija nuk dëshiron të shkojë te psikologia. Ka patur raste që edhe pse e kanë ditur, psikologia dhe punonjësja sociale nuk është se kanë ofruar një ndihmë konkrete, megjithë dëshirën e tyre të mirë. Në këto situata përpos psikologut dhe punonjëses sociale të shkollës ne raportojmë edhe te njësitë për mbrojtjen e fëmijëve.”, tregon Pulaha.
Ai thotë se bashkëpunojnë edhe me struktura të tjera si ato të njësisë bashkiake, që e ndihmojnë të bëjë një verifikim të plotë të informacionit, shkollën, fëmijën por dhe familjen e tij, duke ndërhyrë më pas në ofrimin e ndihmës.
“Bullizmi mbahet në monitorim. Punonjësja e merr rastin, hap dosjen, lihen detyra që bëhen pjesë. Po kështu psikologia e shkollës bën një plan individual dhe mban në monitorim të bullizuarin dhe bullizuesin, bën takim me prindërit veç e veç por edhe në grup duke bërë më të mirën për fëmijët. Jepet mbështetje psikoemocionale nga shkolla, psikologia dhe të dy, punonjësja bashkë me grupin ndërsektorial, diskutojnë për zgjidhje konkrete. Thirret mjeku psikiatër nëse është e nevojshme apo psikologu. Lihet një kohë dhe shihet gjithë progresi nëse nuk është arritur e pikat që kanë dhënë rezultat hiqen dhe vazhdohet me pika të reja. Ne kemi detyrim ta raportojme te punonjësja për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe tek Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. Në disa raste raportojmë në polici dhe u themi se ka rast dhune, pra, në sektorin e të miturve ndjekin rastin.”, thotë më tej Pulaha.
Ai komenton ngjarjen tragjike të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku i mituri Martin Cani humbi jetën. “Nuk kemi qenë në dijeni për rastin e shkollës “Fan Noli”. Po të isha punonjës social në Shërbimin Psiko-Social të shkollës nëse do kisha sinjalizim, do e raportoja. Në një rast të tillë do kishim njoftuar prindërit, të dy palët dhe Punonjësin për Mbrojtjen e Fëmijëve nëse do shihnim se rasti do ishte përkeqësuar edhe në familje. Fëmijët i lëmë mënjanë, sepse në sy të fëmijëve duhet të kemi qëndrime të përbashkëta, ku fëmijët të kuptojnë se arma nuk përdoret dhe gjëja nuk zgjidhet me zenkë.”, thekson ai.
Pulaha tregon se qasja është që të punohet me familjen.
“Punohet me familjen. Nëse kemi familje me strukturë të demtuar, mund të kemi prinder të divorcuar, mund të kemi familje me nëne kryefamiljare për shkak të humbjes së jetës së partnerit, mos harroni se kemi fëmijë që janë në familje në proces divorci dhe janë gjatë gjithë kohës të ekspozuar ndaj dhunës. Së pari ky fëmijë duhet të rritet në një mjedis miqësor, që të mos i mungojë dashuria sepse tek e fundit janë elementë që ndikojnë edhe në sjelljen e këtij fëmije. Në momentin që ne shikojme se ky fëmijë nuk vjen në shkollë, ky fëmijë shfaq një sjellje josociale, atëhere janë struktura të posaçme që shkolla mund të kërkojë ndihmë, siç edhe kanë kërkuar.”, shprehet ai.
Pulaha i sheh shqetësuese të dhënat e bullizmit online. Në vitin 2024 janë trajtuar 93 raste, nga 119 telefonata të marra. 93 fëmijë që janë bullizuar në internet, janë sharë, kërcënuar, janë bërë objekt i materialeve të papërshtatshme, modifikime fotosh. “Na e kanë vështirësuar më shumë punën me mbylljen e Tik -Tokut se fëmijët po gjejnë alternativa “VPN”-je dhe ne nuk po i ndihmojmë dot për t’i mbyllur këto adresa. Nëse ne i mbyllnim nga 24-72 orë, tani duhet t’i mbledhim grup e t’i raportojmë te Tik-Tok-u. Janë shtuar rastet në Instagram, Snapchat, Telegram.”
Pulaha e sheh urgjente nevojën që fëmijët të vetëmbrohen duke bërë kujdes se me kë komunikojnë, çfarë tregojnë. “Shoku e i mirë në këtë rast, mund të jetë armiku më i përbetuar nesër.”, u jep këshillë fëmijëve e prindërve Pulaha.
Çfarë duhet të bëhet më shumë në Shqipëri për të luftuar bullizmin sipas Pulahës?
“Punonjësit për Mbrojtjen e Fëmijëve duhet të bëjnë një “krehje” të gjithë zonës. Cilat janë familjet me probleme, mund të ketë një baba të alkolizuar. Çfarë po i ofrohet kësaj familjeje? A po i ofrohet një shërbim që ai prind të largohet nga alkooli dhe të integrohet në një punë dhe të mos e nxjerrë fëmijën në rrugë se kemi shumë fëmijë në situatë rruge sot që na raportojnë çdo ditë. Po kështu Kemi nga ata prindër që në sy të mësueses e në sy të fëmijës i bërtasin mësuesit. Atëherë çfarë roli ka mësuesi? Fëmija duhet të shohë që të dy prindërit, të dyja palët janë bashkë, si me shkollën si me profesionistët, si me psikologun e shkollës që ky veprim nuk duhet të bëhet. ”, thotë Pulaha.
Klaudio Pulaha thotë se ka mungesë shërbimesh, një psikologe apo 1 punonjës social nuk i mbulojnë dot të gjitha rastet dhe se duhet të fuqizohen strukturat dhe njësitë për mbrojtjen e fëmijëve.
“Mungesë e theksuar e shërbimeve rekreative, nuk kemi shkolla si qendra komunitare, nuk ke nje qendër rinore në Tiranë për hir të së vërtetës, të mos e gënjejmë veten, janë vetëm në emër. Një qendër sociale mund ta largojë një të ri nga sjellje josociale, delikuente, që të mos bjerë pree grupeve të strukturuara, aty në lagje. Nuk kemi klube prinderish. Ne bëjmë vetëm takim me prindër, duke ardhur vetëm ata që kanë rezultate të kënaqshme. Edhe këta prindër që mund të kenë një backround arsimor të shkojnë, të bëjnë një orë të hapur në këto shkolla, të mbledhin edhe prindërit e tjerë. Në 2013 bënin takime me prindër të komunitetit rom, ka patur rezultat. Kishim qindra fëmijë të komunitetit rom që u regjistruan në shkolla, bënim diskutime të ndryshme deri te gatimi.”, këshillon Pulaha.
Sipas Pulahës Burgu i të miturve në Kavajë nuk është zgjidhja sepse mund të kemi përsëritje të veprimeve por ai sugjeron që të kemi orë të hapura me fëmijët ku të ftohen avokatët dhe efektivët e policisë për të folur për të drejtat por edhe detyrimet, jo për t’i frikësuar por për t’i ndërgjegjësuar.
Pse bullizmi duhet marrë seriozisht? Një vizitë në shkollë
Megjithëse qeveria shqiptare ndaloi përdorimin e “TikTok”-ut në Shqipëri pas ngjarjeve tragjike të ndodhura në shkollën “Siri Shapllo” të Gjirokastrës dhe “Fan Noli” të Tiranës, fëmijët tregojnë se e përdorin këtë platformë nëpërmjet VPN-ve. “Kam dëgjuar që shokë dhe shoqe e përdorin me VPN”, thotë me nënqeshje një nxënëse në shkollën “1 Maji” në Tiranë, teksa na korrigjon për informacionin që i japim se “TikTok”-u nuk përdoret më në Shqipëri.
Në një ditë qershori, kur janë hedhur pas krahëve provimet, stafin e shkollës 9-vjeçare “1 Maji” e gjejmë në mbledhjen e zakonshme. Presidentja e shkollës, një e re që dëgjon me shumë vëmendje, një prind po aq dëgjues ulur përkrah oficeres së sigurisë dhe psikologes, mësuesi kujdestar përballë drejtoreshës që flet hapur.
“Rastet e bullizimit në shkollë, të jemi të sinqertë, nuk është se kanë ardhur duke u rralluar por duke u shtuar, por rolin më të veçantë e ka shkolla.”, thotë Entela Gjondedaj,drejtoresha e shkollës “1 Maji” për Gogo.al, teksa shton “Këtu jemi një familje. Kemi probleme por i vëmë gjërat përpara.”
Drejtoresha tregon procesin që ndjekin mësuesit, mësuesi kujdesar apo edhe mësues të lëndëve sa herë pikasin raste bullizmi, duke u drejtuar te shërbimi psiko-social i shkollës, psikologu dhe punonjësi social por njëkohësisht një hallkë me rëndësi është edhe oficeri i sigurisë që ka detyrë të qëndrojë gjithmonë në ambjentet e shkollës, duke vëzhguar me kujdes sjelljet e fëmijëve. Sipas tyre komunikimi me Drejtorinë e Shkollës dhe lajmërimi i prindit kalojnë në plan të parë. Po kështu me rëndësi janë takimet me prindërit, 5 takime në vit por nëse klasa ka probleme mësuesja kujdestare thërret në mënyrë individuale gjithë klasën e vet, gjithë prindërit, në prezencën e drejtoreshës, psikologut dhe punonjësit social.
“Fatmirësisht, ne kemi patur raste që i kemi vënë një lloj barriere që nuk kanë shkuar më tej sepse bullizimi shkon në konflikt dhe më vjen keq ta përmend që kështu ka filluar me një bullizim dhe pastaj ka kaluar në një konflikt por e rëndësishme te ne është që gjithmonë ne jemi bashkëpunëtorë me njëri-tjetrin.”, tregon Gjondedaj, teksa shton që bisedat e këshillimit për bullizmin janë shumë efikase apo orët e kujdestarisë së mësuesve duke folur me nxënësit një herë në japë për fenomenin, apo trajnimet për efektet negative të rrjeteve sociale.
Problemet janë ato të moshës, na thotë Gjondedaj, “jo ti je më e mirë, unë jam më e mirë”. “Ka patur raste edhe po themi në thonjëza të “pëlqimeve” që kanë filluar djemtë tani ndaj vajzave apo vajzat ndaj djemve, të veshjes dhe pse ne kemi një uniformë shkollore përsëri është ajo dëshira për t’u veshur, si nga vajzat dhe nga djemtë që na vijnë me pantallona të shkurtra po ne nuk i kemi lënë gjatë procesit mësimor. Bullizmi merr forma nga më të ndryshmet por e rëndësishme të mos kalojmë te dhuna.”, thekson drejtoresha e shkollës 9-vjeçare.
Gjondedaj tregon se po ndjehet në vështirësi për të gjetur zgjidhjet e mundshme për situatën e krijuar me një nga nxënësit e shkollës.
“Kemi një fëmijë që ne akoma nuk po arrijmë të kemi mënyrën që ai të vijë në shkollë, u bë gati 5 muaj që ai nuk paraqitet dhe ne kemi disa mendime që ndoshta e ka për bullizim, ndoshta e ka për problemet e veta të adoleshencës. E diskutojmë gjithmonë me prindin dhe se e kemi bashkëpunëtor shumë të ngushtë në shkollë dhe me Shërbimin Psiko-Social.”, rrëfen Gjondedaj.
Shumë pyetje na lindin aty për aty, si për shembull pse është duke u shtuar bullizmi, a nuk po punohet si duhet me empatinë e këtyre fëmijëve apo në çfarë presionesh të reja ndodhen fëmijët sot?
I rendisin me radhë faktorët: rrjetet sociale, humbja e kontrollit të fëmijës nga familja, ndikimi i shoqërisë.
“Ka fëmijë, të cilët rrinë gjithë ditën në shtëpi vetëm për arsye që prindërit punojnë nga mëngjesi deri në darkë dhe e shikoj që nuk e kanë atë kontrollin nga prindërit dhe fëmija kur nuk ka kontroll gjithmonë çedon. Ne kemi vënë re që te fëmijët që janë nonstop me prindërit, nuk ndodhin këto, kurse te prindërit që janë të larguar për shkak të gjendjes ekonomike po. Plus që kemi dhe shoqërinë. Mos harroni, dikur ne ishim të gjithë me një çelës në qafë, me bukë në dorë, ashtu e donim dhe kishim dashurinë për njëri-tjetrin, sot fëmijët janë gjithë ditën rrugëve nëse nuk e kanë familjen në shtëpi. Plus që kemi patur dhe familje të divorcuara dhe me probleme të ndryshme dhe fëmijët bullizohen sepse nuk e kanë nënën, nuk e kanë babanë”, analizon drejtoresha situatën ku ndodhen sot fëmijët.
“Derisa të vazhdojë kjo pjesa e rrjeteve sociale, për të cilat kemi bërë dhe trajnime se ku ndikojnë negativisht, ne do të vazhdojmë t’i kemi këto probleme dhe asnjëherë nuk do të shuhet pjesa e bullizmit. Më vjen keq që shpeshherë fajtor bëjnë shkollën dhe ajo që është më e goditura është shkolla. Shkolla është primare dhe gjithmonë është ajo që lufton dhe punon me këta nxënës dhe me prindërit që të ulin rastet e bullizmit. Unë e shikoj, duke filluar që nga mosha 11 vjeç, fillon adoleshenca, dikur vinte më vonë.”, përgjigjet Gjondedaj kur e pyet se a u është ulur empatia brezave të tanishëm në raport me vite më parë të brezave të tjerë që ka edukuar.
Emiljana Murataj, oficere sigurie në shkollë na tregon një rast konflikti ndodhur në shkollën e tyre, pikërisht i nisur nga përdorimi i rrjeteve sociale nga fëmijët pasdite.
“Jo më larg se para dy javësh kemi patur një rast ku ishin konfliktuar pasdite nxënësit nëpër rrjetet sociale. Gjatë gjithë kohës unë jam në monitorim dhe vë re disa nxënës të huaj që nuk ishin të shkollës sonë, jashtë oborrit të shkollës. Iu afrohem dhe nga informacionet që mundohem të marr nga nxënësit e tjerë e zbuluam. Ishin konfliktuar pasdite në rrjetet sociale. Njoftuam prindin. Kam njoftuar Inspektorin e Zonës. Rastin e çuam deri në fund, nuk e lamë aty. Inspektori i Zonës reagoi menjëherë. Ne kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë. Dërgoi një patrullë sepse për momentin nuk ishte këtu afër vetë.”, na tregon oficerja e sigurisë Murataj.
Një nxënëse në shkollë na tregon se si i zgjidhin me zyshën kujdestare situata të tilla.
“Sa dalim nga shkolla, prapë flasim me njëri-tjetrin se kemi grupin tonë pa zyshën, në Ëhatssapp. Snapchat-in po ashtu e përdorim. Dikush pyeti për detyrat dhe filluan çunat të thoshin “jo po ti pse i bën detyrat”. Dhe pastaj filloi duke u sharë. Nga të dyja anët. Shhkojnë vetë personat te zysha kur nuk ndihen mirë me diçka. Kur shkojmë te zysha nuk është se na bërtet, po na tregon një rrugë më të drejtë. Mendoj se funksionon sepse nëse ne flasim me mësuesin kujdestar ne kemi një moto: Më mirë të tregohemi të vërtetë se sa të gënjejmë dhe duke treguar të vërtetën do zgjidhet e gjitha.”, rrëfen nxënësja.
Ajo tregon se situatat e debateve janë më të shpeshta te djemtë e klasës.
“Unë e kam origjinale këtë bluzen, ti nuk e ke. Unë jam më i fortë. Te gocat ka të bëjë me mësimet, se ti nuk më ndihmove në test. Ka persona në klasë që e kanë problem dhe pjesën e të shikuarit, ndjejnë që ky po më sheh për diçka që nuk i pëlqen të unë, jam e shëndoshë, jam shumë e dobët. Mendojmë që nuk i pëlqen diçka te neve dhe do shkojë te grupi shoqëror dhe do transmetojë atje dhe këtu fillon pastaj e gjitha.”, tregon më tej nxënësja.
Sipas saj për t’u minimizuar bullizmi bisedat me psikologen janë zgjidhja kryesore.
“Bisedat me psikologen janë numër 1 për mua. Sepse edhe nëse do e bëja vetë do ndjehesha më mirë sepse do e gjeja një zgjidhje. Familja, normal, atë nuk po e diskutojmë. Mund të ishte edhe krijimi i grupimeve të nxënësve brenda shkollës për bullizmin sepse çdo individ ka një mendim të vetin për bullizmin dhe mund të gjenim një zgjidhje me njëri-tjetrin.’, thotë nxënësja, duke shtuar se kanë bërë trajnime për bullizmin bashkë me inspektorët e policisë por prindërit nuk kanë qenë të pranishëm.
Nebi Naska, një mësues kujdesar i nxënësve të shkollës, thotë se çelësi në situata të tilla ështëbashkëpunimi midis mësuesit të lëndës dhe mësuesit kujdestar. “Në qoftë se e shikojmë që gjendja acarohet, atëherë thërrasim Oficeren e Sigurisë. Po në qoftë se ata mbajnë atë qëndrimin e ftohtë, përjashtues, mospranues ndaj njëri-tjetrit, fillojmë dhe e delegojmë te Zyra Psiko-Sociale dhe njoftojmë dhe prindërit pastaj dhe fillojmë në mënyrë që t’i zbusim situatat.”, tregon ai.
“Kur flasim pse bullizohen nxënësit, ka lidhje me gjendjen sociale, gjendjen ekonomike, mënyra e të komunikuarit, paraqitja, veshja, të mësuarit, të mosmësuarit, me një fjalë të gjitha këto futen në atë që ne i themi bullizëm dhe forma më e ashpër është dhuna fizike. Jemi ne që ndeshëmi me bullizimin. I pari është mësuesi kujdestar. Të dytët janë mësuesit e lëndëve, të cilët e informojnë mësuesin kujdestar për një situatë, të cilën ata e shikojnë me pikëpyetje sepse mësuesi kujdestar e njeh nxënësin e vet, për të mos thënë e njeh më mirë se fëmijën e vet se kalon gjysmën e ditës me ta. Dhe shikojmë që nga grupazhet që krijohen, nga mënyra se si ata komunikojnë me njëri-tjetrin, mënyra që ndryshojnë pozicionet e uljes dhe shoqërimit, ose që nga fjalori ose si mund të themi në thonjëza “kunjat” që hedhin ndaj njëri-tjetrit qoftë dhe në komunikim të përditshëm.”, thotë mësuesi kujdesar në shkollën “1 Maji”, Nebi Naska.
Në analizën që i bën transformimit të bullizmit, Naska thotë se e gjitha filloi te pasja e një telefoni të mirë apo e rrobave firmato.
“Bullizmi filloi të rrobat firmato, para 10 vitesh bullizmi filloi te telefoni, te marka që kishe apo s’kishe, para 10 vitesh bullizmi filloi te ana ekonomike që dikush vinte me pak, dikush vinte me shumë lekë në shkollë, dikush sillte bukë me vete. Sot kanë kaluar këto dhe bullizmi është transformuar tashmë në aspekte sociale, në kuptimin që ndikojnë rrjetet sociale, ndikojnë grupet shoqërore, ndikojnë rrethet familjare, ndikojnë problemet që ata kanë në familje, ndikon tek e fundit edukata bazike që marrin nëpërmjet pranisë apo mospranisë së prindit dhe problemeve që ata kanë.”, thekson Naska.
Edhe mësuesi kujdestar e shoqëron shpjegimin e tij me raste konkrete.
“Vjen një nxënës i ri vjet. Nga një shkollë tjetër. Vajzë. Dhe filluan të mos e pranonin sepse pjesa tjetër kishin vite që ishin harmonizuar me njëra-tjetrën, nuk e shoqëronin, nuk e pranonin të uleshin, kalonin pasi dilnin nga shkolla hidh ndonjë fjalë, njëherë njëra, njëherë tjetra derisa pala tjetër nuk duroi dot dhe pa u referuar në shkollë, pa u referuar as në familje precipitoi pastaj në anën më ekstreme, te dhuna fizike. A u zgjidh? Problemi është që kaloi atje ku nuk duhet të kishte kaluar asnjëherë sepse pastaj u fut shkolla në mes, dikush do të thotë ka ndodhur jashtë shkolle, dakord po janë nxënësit. Erdhën në shkollë, u lajmëruan familjet, oficeri i policisë që mbulon, zyra Psiko-Sociale, jemi mbledhur të gjithë bashkë, bashkë me fëmijët, vetëm për vetëm pastaj për të gjetur shkakun. Shkaku ishte hyrja e një personi të huaj në grupin e tyre. Është e shumë vështirë që kjo moshë të pranojë dikë të huaj. Këta lloj brezash nuk pranojnë të bashkëpunojnë jo vetëm me mësuesin, po as me prindin, duke vënë egon në radhë të parë.”, rrëfen Naska.
Për të nxitur pranimin Naska i pyet nxënësit e rinj a njeh njeri në klasë apo ku banon. “Sepse mjafton ta shikojë si fytyrë që është te blloku ku banon, normalisht është një element lidhje që të fillojë pranimi, mos të paraqitet si i huaj direkt. Elementi tjetër është prezantimi para klasës dhe kërkesa që bëhet, duken si gjëra formale po ka impakt të jashtëzakonshëm që nxënësit duhet të bashkëpunojnë me nxënësin e ri, ta përkrahin dhe ta ndihmojnë. Normalisht mësuesi orienton nxënës të caktuar, të cilët ta fillojnë dhe ta përkrahin.”, nënvizon më tej.
Si mund të punojmë me empatinë, e pyesim psikologen e shkollës Admira Beçin. “Fillon që në familje. Nëse familja të thotë ti shko dhe gjuaji dhe mos ki mëshirë për tjetrin, atëherë, sado që ne flasim…Besimin më të madh ne e kemi te prindërit tanë. Nëse nuk e kultivon që në fillim është shumë e zorshme ta kultivosh më vonë.”, shpjegon Beçi.
“Modeli është mësuar që në familje. Ne jemi një model shumë i dhunshëm. Nëse ty të flet shoku, ti duhet t’ia kthesh më të njëjtën monedhë, do ta gjuash, do ta ofendosh. Pra ti nuk je qulls, apo çun mamaje, pra ti edukohesh me dhunë. Ne ushqejmë fëmijën. Këtë model shikon fëmija, këtë bën. Dhe këta fëmijë që janë vetë bullizues dhe këta kanë nevojë për ndihmë.Ne i lëmë në hije po është shumë primare që të merresh me ta. Çfarë ndodh? Këta janë të dhunuar në familjet e tyre dhe duan ta nxjerrin atë çfarë kanë të brendësuar. Të dyja palët kanë nevojë për ndihmë. Ne mësojmë më shumë nga modelimi se nga ajo që na thuhet. Syri shikon më mirë se sa memorja kur ta thotë dikush tjetër.”, analizon psikologia.
Ajo konfirmon më tej se prindërit i kanë braktisur fëmijët në një formë. “Fëmijët vetë kërkojnë ndihmë. Prindërit janë në punë nga mëngjesi deri në darkë, të detyruar nga ana ekonomike por kanë harruar që gjithë sakrifica që bëjnë e kanë për fëmijën e tyre. Pra, a e pyesim fëmijën vërtet a ka dhunuar ndonjë person? Pra nuk është çështja që unë të pyes fëmijën çfarë note more? Gjëja e parë që një prind bën është të pyesë se çfarë note more. Nuk ka rëndësi nota. Çfarë emocionesh përjeton? A e ka lënduar njeri?A e kanë dhunuar? A e pyesin vërtet prindërit fëmijën e tyre?! JO.”, thotë psikologia Beçi.
Pajtohet me të dhe Elona Miço, një nënë që fëmijën e saj e edukon në shkollën “1 Maji”, duke treguar se mundohet të jetë prezente për djalin e vet.
“Unë si prind kam lënë punën që të jem për çdo gjë se nuk i vë dot faj shkollës siç ka ardhur koha sot. Vërtet fëmija vjen në klasë të parë po kulturën e merr në shtëpi, nga babai, nga mami, nga prindërit në radhë, pastaj dhe shkolla është pjesë por fajin më të rëndë sot e ka shoqëria. Shoqëria është shumë e vështirë. Të gjitha ato rastet që thamë për bullizmin, vijnë nga shoqëria përjashta për mendimin tim si prind. Kam qenë jashtë dhe jam kthyer në Shqipëri, kur erdha pashë një shoqëri…Që në lagje fillon. Që në lagje, që të vegjël…Shumë presione kanë. Që nga sjellja, veshja, që nga “unë dal këtu, unë vete në Bllok, unë vete këtu”, që nga telefoni i fundit. Më shumë e kam për pjesën e sharjeve, fjalëve të pista që i përdorin jashtë mase, nëpër rrjete sociale. Në grupe me shoqet dhe shokët. Nuk them vetëm për djemtë, janë dhe për vajzat.”, tregon Miço.
Juliana Meçi, nëndrejtoresha e shkollës 9-vjeçare në Yzberisht, Tiranë thotë se është një fenomen që haset shpesh por po kaq shpesh neglizhohet.
“Zgjidhja e tij kërkon një qasje të koordinuar mes të gjithë aktorëve: shkolla duhet të jetë jo vetëm vend dijeje, por edhe një hapësirë që kultivon ndjeshmërinë, respektin dhe përfshirjen. Kjo nënkupton formim të mësuesve për të zbuluar në kohë rastet dhe kjo mund të realizohet nëpërmjet trajnimeve të ndryshme, përfshirje të fëmijëve në aktivitete që nxisin bashkëpunimin dhe komunikimin, si dhe ndërtim të një klime të sigurt ku çdo zë dëgjohet.”, thotë për Gogo.al Meçi.
Nuk harron të përmendë prindërit, strukturat shtetërore por dhe medien që mund të ndihmojë.
“Prindërit, si edukatorët e parë luajnë një rol të pazëvendësueshëm. Kur ata janë të angazhuar, të vëmendshëm dhe model i sjelljes empatike në shtëpi, fëmijët mësojnë që edhe jashtë saj të respektojnë dhe të kujdesen për të tjerët. Media, nga ana tjetër, duhet të shmangë sensacionalizmin dhe të ofrojë më shumë modele pozitive për të rinjtë, duke promovuar histori frymëzuese bashkëjetese e mirëkuptimi. Ndërsa strukturat shtetërore duhet të garantojnë që çdo shkollë të ketë mekanizmat e duhur të reagimit dhe mbështetjes psiko-sociale. Empatia nuk mësohet me ligj, por me përjetim. Sa më shumë t’u japim fëmijëve hapësira për të reflektuar mbi ndjenjat e tyre dhe të të tjerëve përmes tregimeve, dramës, lojës, roleve apo edhe veprimtarive të shërbimit komunitar, aq më shumë do të rriten si qytetarë të ndjeshëm. Një shoqëri që e mëson fëmijën të kuptojë dhimbjen e tjetrit, do të jetë nesër një shoqëri më e drejtë dhe më humane.”, përfundon nëndrejtoresha Meçi.
Po në shkollat jashtë Tiranës?
Ilda Nako, drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan thotë për Gogo.al se për të minimizuar bullizmin ne shkolla duhet nje qasje gjithëpërfshirëse, ku të gjithe aktorët të jenë aktivë, prindërit, nxënësit, mësuesit, punonjësit socialë.
“Komunikimi i menjëhershëm nga mësuesi kujdestar dhe punonjësi social me prindërit, vendosja në rregulloren e brendshme dhe të ligjeve në arsimin parauniversitar i ndëshkimeve në sjellje të nxënësve por dhe të prindërve do ishte një masë parandaluese. Zhvillimi i orëve edukuese dhe ndërgjegjegjësuese nga mesuesit, specialistë të kësaj fushe si dhe trajnimi i mësuesve dhe i punjonjësve socialë për tematika antibullizëm do të ishin disa nga zgjidhjet”, thotë Nako.
Nako sjell në vëmendje edhe rasste nga shtete si Kanadaja dhe Italia, ku ndëshkimi me gjoba për sjellje të kësaj natyre është në fuqi.
“Një shoqja ime emigroi në Kanada vitin që shkoi. Fëmija i saj i madh shkonte në shkollë me autobus, mirëpo qante. Shoferi i autobusit dhe fëmijët e tjerë u shqetësuan nga sjellja e fëmijës dhe u ankuan. Prindi u informua për ankesën dhe nëse fëmija do vazhdonte të qante do të gjobitej me 80 dollarë kanadezë. Prindi punoi me vajzën për të trajtuar sjelljen dhe vajza nuk po qante më. Pra, masa ndëshkuese duhet të ketë dhe për prindin jo vetëm për nxënësit. Këto masa ndëshkuese duhet të jenë dhe për rastet e problemeve me frekuentimin, dëmtimet në mjediset e shkollës, fyerje ndaj mësuesve dhe bashkëmoshatarëve. Në Itali kur dy fëmije grinden dhe nëse ka dëmtime fizike prindërit gjobiten”, tregon Nako.
Sabina Gjeçi, punonjëse sociale në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” në Kavajë thotë se qasja duhet të jetë gjithëpërfshirëse për zgjidhje sa më efektive por është më shumë për parandalim se sa trajtimin.
“Gjithmonë duhet të theksojmë që parandalimi është më efektiv se ndëshkimi. Edukimi për empatinë, tolerancën dhe respektin duhet të jetë pjesë e kulturës shkollore. Bashkëpunimi me prindërit, mësuesit dhe institucionet është thelbësor për të identifikuar raste bullizmi dhe për të ndërhyrë në kohë.
Mbështetja emocionale dhe psikologjike për viktimat dhe ndërhyrje edukative për bullizuesit janë domosdoshmëri për ndryshim afatgjatë. Ndërtimi i një klime të besimit, ku nxënësit të ndihen të lirë të flasin dhe të kërkojnë ndihmë pa u stigmatizuar. Pra, një punonjëse sociale duhet të jetë vëzhguese, aktive dhe mbështetëse, duke luftuar bullizmin me ndërgjegjësim, edukim dhe ndërhyrje profesionale.”, thotë Gjeçi.
Drejtuesi i shkollës 9-vjeçare në fshatin Ahmetaq në Vorë, thotë se bullizmi nuk lind rastësisht në adoleshencë, por është një fenomen që fillon të zhvillohet shumë më herët, si pasojë e një shkëputjeje graduale nga lidhja e ngushtë me prindin.
“Që në muajt e parë të jetës, fëmijët dërgohen në çerdhe, më pas në kopshte, pastaj në shkollë, e menjëherë pas orarit mësimor i përfshijmë në ambjentet e qëndrimit pas shkolle. Kur më në fund vijnë pushimet, momenti i vetëm kur prindërit dhe fëmijët mund të qëndrojnë realisht bashkë, ata sërish ndahen, sepse fëmijët dërgohen në shkollë verore. Në gjithë këtë cikël, humbet ajo që është më thelbësore për një fëmijë: lidhja emocionale, koha cilësore me prindin, ndjenja e përkujdesjes. Mungesa e kësaj lidhjeje që në vitet e para ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e empatisë. Një fëmijë që nuk është ndjerë i dëgjuar, i përqafuar dhe i kuptuar, rrezikon të rritet me vështirësi në njohjen e emocioneve të tjetrit dhe ky është një terren i përshtatshëm për lindjen e bullizmit.”, thotë drejtuesi F.Z.
Prandaj sipas tij, për të parandaluar bullizmin nuk mjafton vetëm ndërhyrja në shkollë. “Duhet të rishikojmë mënyrën si rrisim fëmijët, të japim më shumë kohë reale, më shumë praninë tonë si prindër dhe të kuptojmë se lidhja emocionale është baza për një shoqëri më të shëndetshme. Fëmijët tanë nuk kanë nevojë për paratë tona, por për ne.”, përfundon drejtuesi i shkollës.
Pse duhet folur për bullizmin digjital?
UNICEF-i në Shqipëri na vuri në dispozicion një raport lidhur me aksesin në internet të fëmijëve shqiptarë që thotë se shtëpia ishte vendi më i zakonshëm, ku 95.8% e fëmijëve hynin në internet.
Eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj thotë për Gogo.al se bullizmi online ndaj fëmijëve merr shumë forma: përhapja e thashethemeve apo lajmeve të rreme, apo deri te përjashtimi i qëllimshëm nga grupet online. “Gjithnjë e më shpesh ndodhin edhe raste të “doxxing” (zbulim i të dhënave personale) apo imitimi i identitetit për t’i ekspozuar apo përqeshur. Këto akte ndodhin fshehurazi, shpesh pa dijeninë e prindërve apo mësuesve, gjë që e bën problemin edhe më të ndërlikuar.”, thotë Semanaj ndërsa sipas tij parandalimi i bullizmit online fillon në shtëpi por vazhdon dhe në shkollë, përmes edukimit digjital dhe ndërtimit të një komunikimi të hapur me fëmijët.
Bullizmi online shpesh është më i rëndë, sipas tij sepse ndodh në një hapësirë ku agresori fshihet pas anonimatit dhe viktima nuk ka ku të “shpëtojë” por është i ekspozuar 24 orë në ditë. “Për më tepër, fjalët dhe imazhet që publikohen online mbeten për një kohë të pacaktuar, mund të shpërndahen me shpejtësi dhe të ndikojnë në mënyrë të thellë te vetëbesimi dhe zhvillimi emocional i fëmijës. Ndryshe nga bullizmi tradicional që ndodh në një mjedis të kufizuar, bullizmi online ka audiencë të gjerë dhe efekt më të gjatë në kohë.”, shton më tej.
Por çfarë të bëjmë në rast të një sulmi bullizmi online te fëmijët?
“Reagimi i parë është të mos e injorojmë. Fëmija duhet të ndihet i dëgjuar dhe i mbështetur. Duhet dokumentuar çdo mesazh, koment apo material i dëmshëm me “Screenshot” dhe “Link”, më pas të raportohet te platforma ku ka ndodhur bullizmi dhe, në rastet më serioze, te autoritetet përkatëse. Prindërit mund të kërkojnë ndihmën e një psikologu për të menaxhuar ndikimin emocional, ndërsa shkolla duhet të informohet për të parandaluar përshkallëzimin. Është thelbësore që fëmija të kuptojë se nuk është fajtor dhe nuk është vetëm.”, sugjeron eksperti.
Cila është baza ligjore në Shqipëri? A konsiderohet krim bullizmi? Po ai online? Aktualisht, Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë nuk përmban dispozita specifike që trajtojnë drejtpërdrejt bullizimin dhe kërcënimet online.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, kallëzimet e qytetarëve për hapje të llogarive false në rrjetet sociale, i ka referuar në prokurori, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 186/a i Kodit Penal. Për vitin 2024, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thotë për Gogo.al se janë referuar materialet për 461 raste të kësaj vepre penale. Ndërkaq, rastet e shantazhit për publikim të fotove ose videove, janë referuar për veprat penale “Kanosja”, “Përndjekja”, “Ngacmimi seksual”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” etj. Për veprën penale “Përndjekja”, parashikuar nga neni 121/a i Kodit Penal policia për vitin 2024 evidenton 46 raste.
Avokati Henri Bici bën një shpjegim të detajuar të situatës ligjore.
“Në kuptim të ligjit 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve” dhe Kodit Penal bullizmi është një formë e dhunës psikologjike. Duhet përmendur që Shqipëria është edhe pjesë e “Konventës për të drejtat e fëmijëve”, miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në 20 nëntor 1989. Neni 16 i Konventës dhe neni 17 i ligjit 18/2017, përcaktojnë qartë ndalimin mbi ndërhyrjen në jetën private të fëmijëve (të miturve) përfshirë cënimin e nderit dhe dinjitetit të tyre. Gjithashtu neni 19-të i Konventës dhe neni 23 i ligjit 18/2017 garanton të drejtën e fëmijës për t’u mbrojtur nga çdo lloj forme e dhunës, përfshirë këtu edhe dhunën psikologjike. Në kuptim të ligjit dhe përgjegjësisë penale, në rastet e bullizmit mund të jemi përpara konsumimit të elementëve të vepres penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal. Gjithsesi kjo është relative, pasi situatat e bullizimit janë komplekse dhe duhen vlerësuar rast pas rasti. Nga eksperienca, në të shumten e rasteve, bullizimi shoqërohet edhe me veprime apo pasoja të tjera që mund të përbëjnë konsum të elementeve të veprave të tjera penale.”, thotë avokati Bici për Gogo.al
Ai shton më tej se prej vitit 2017 Shqiperia ka miratuar Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, që përcakton mënyrën e trajtimit, kur subjektet e kryerjes së veprave penale janë të mitur. Ndër veprat penale që mund të lidhen me bullizimin si fenomen, ai përmend “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” parashikuar nga neni 121 i Kodit Penal, “Përndjekja” parashikuar nga neni 121/a i Kodit Penal ose deri në rastet më të rënda që mund të jenë konsumim i veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal pasi keqtrajtimi sistematik që prek rëndë dinjitetin dhe personalitetin e personit mund ta çojë atë drejt këtij veprimi.
“Mosha për të mbajtur përgjegjësi penale për veprat penale është 14 vjeç dhe për kundërvajtjet penale është 16 vjeç, çka nënkupton që të miturit janë subjekte të ligjit penal, pavarësisht se nuk e kanë mbushur moshen 18 vjeç dhe nuk kanë zotësinë juridike për të vepruar nga pikëpamja civile. Prindërit e fëmijës ose kujdestari i ligjor i tyre në bashkëpunim me institucionet e kujdesit shëndetësor, të edukimit dhe të strukturave të mbrojtjes së fëmijëve por edhe të strukturave të kujdesit shoqëror janë të detyruar të marrin të gjitha masat për rehabilitimin e fëmijës, viktimë e dhunës të çfarëdolloj forme. Të miturve në kontakt me ligjin, cilado qofte pozita e tyre proceduriale u garantohet në mënyrë të detyrueshme prezenca e detyrueshme e prindit ose kujdestarit ligjor, e psikologut dhe e avokatit mbrojtës, shërbime që ofrohen pa pagesë.”, shton avokati Bici.
Nuk ka në dijeninë e tij një rast në Shqipëri kur një i mitur është dënuar penalisht se ka bullizuar një të mitur tjetër. “Rast që dua ta përmend është rasti në Sarandë kur gjyshja dhe babai detyronin një të mitur që të fliste me gjuhë të papërshtatshme, të ofendonte dhe të bullizonte në rrjete sociale, persona të ndryshëm përfshirë edhe nënën e tij. Kjo sjellje e ekspozonte këtë të mitur për të qenë viktimë e bullizimit apo situatave të tjera të papërshtatshme”, tregon Bici.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria në pikëpamje ligjore sipas tij?
“Mendoj që duhet të kemi një përshtatje të legjislacionit për sa i përket bullizmit, që edhe mund ta përfshijmë në mënyrë literale si vepër apo kundërvajtje penale. Gjithashtu duhet të ketë edhe përshtatje të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, ku të shtojmë edhe masat edukuese konkrete në lidhje me raste specifike, madje duke përfshirë edhe moshat 12 dhe 13 vjeç, kjo për arsye se kjo moshë është shumë delikate dhe aty nisin hapat e para të bullizimit me pasoja që mund të jenë edhe fatale.”, sugjeron avokati Bici.
Përveç edukimit qytetar duhen shtuar edhe orë të veçanta sipas tij për edukimin ligjor, ku të miturit të njihen me pasojat ligjore të veprimeve të tyre.
Sistemi- Më mirë parandalim apo ndëshkim?
Çfarë sistemi ka Shqipëria për të luftuar bullizmin? Përtej dëshirës për ta parandaluar me trajnime e diskutime nëpër shkolla, qasja duket se është më shumë drejt trajtimit të rasteve, duke qenë e vagullt në bazën ligjore por po ashtu në luftën me themel, që te mësimi i empatisë për shembull.
Por ka një sërë institucionesh që u shërbejnë fëmijëve si Këshilli Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Njësia e Shërbimeve Shoqërore në Bashki apo Njësi Administrative, Njësia e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit në Bashki apo Njësi Adminstrative, deri te shkolla dhe psikologët pranë tyre.
Esmeralda Shkurti është punonjëse sociale pranë Njësisë Bashkiake nr. 8 në Tiranë. Ajo merret me trajtimin e rasteve të referuara për bullizëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë. Sipas Shkurtit, pas një raportimi nga shkolla apo komuniteti për një situatë me bazë bullizmin, ndërmerret menjëherë nisma për ngritjen e një grupi teknik pune, i cili përfshin: mësuesin kujdestar, psikologun e shkollës, punonjësin social, organizata që fokusohen në parandalimin e bullizmit dhe, nëse është e mundur, edhe përfaqësues nga komisariati i policisë.
Procesi nis me negociata me prindërit, me qëllim uljen e tensioneve dhe krijimin e një klime mirëkuptimi. I kushtohet rëndësi sqarimit të rrethanave dhe identifikimit të burimit të konfliktit. Punonjësi social harton një plan ndërhyrjeje me pika konkrete, dhe ndjek ecurinë e zbatimit të tij në bashkëpunim me të gjitha palët përkatëse.
Si fëmija i bullizuar, ashtu edhe ai që ka ushtruar bullizëm, ndiqen veçmas nga psikologu i institucionit arsimor. Qendrat komunitare luajnë një rol të rëndësishëm në zbutjen e konflikteve dhe në riintegrimin e fëmijëve, duke ndihmuar në uljen e tensioneve dhe përmirësimin e ndërveprimit mes tyre. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe prindërve, të cilët trajtohen si aktorë kyç në procesin e ndërhyrjes dhe parandalimit.
Lidhur me zgjidhjet e mundshme, Shkurti thekson rëndësinë e shoqërizimit të fëmijëve në qendra komunitare, si një mënyrë për të ndërtuar marrëdhënie pozitive. Ajo nënvizon gjithashtu nevojën për rritjen e numrit të specialistëve, në mënyrë që të kenë më shumë kohë për të ndjekur individualisht rastet dhe për të ndërhyrë në kohë, duke parandaluar përshkallëzimin e situatave problematike.
Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës për shembull ka përgjegjësi ligjore për mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e të dhënave statistikore që lidhen me situatën e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri. Gjatë vitit 2024, Punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijëve kanë trajtuar 24 raste të dhunës dhe abuzimit në mjedisin digjital. Në këto raste, fëmijët kanë përjetuar ngacmime të vazhdueshme përmes rrjeteve sociale, presione për dërgimin e fotove intime, shpërndarjen pa leje të materialeve personale, manipulime me qëllim shfrytëzimi seksual, si dhe bullizim online. Agjencia gjatë vitit 2024 ka realizuar 33 aktivitete ndërgjegjësuese dhe informuese në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në bashkitë Tiranë, Durrës, Kukës, Gramsh, Cërrik, Lezhë, Kuçovë, Fier, Shkodër, Gjirokastër, Përmet dhe Berat. Janë përfshirë 1277 fëmijë dhe 244 profesionistë dhe prindër. Po kështu janë trajnuar më tej 200 profesionistë dhe 43 prindër.
Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës Alma Tandili rrëfen më tej se si punohet me fëmijët.
“Nëse një fëmijë referohet pranë Njësisë së Mbrojtjes ku banon fëmija si fëmijë që ka probleme me sjelljen apo bullizon pavarësisht rrethanave ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës e konsideron dhe parashikon si fëmijë në nevojë për mbrojtje. Në të dyja rastet si fëmija që ka bullizuar edhe ai që bullizohet ligji i merr në mbrojtje për shkak të moshës. Vetëm në rastet kur një i mitur mbi 14 vjeç ka kryer një vepër të rëndë penale trajtohet sipas Kodit të Drejtësisë Penale. Të gjitha rastet e fëmijëve që referohen për dhunë, bullizim, shantazhim si autorë edhe si viktima trajtohen brenda sistemit të Mbrojtjes së Fëmijës bazuar në parimin interesi më i lartë i fëmijës. Sepse çdo fëmijë ka nevojë për trajtim, për shkak të situatës vulnerabël që kanë të miturit. Pas referimit Punonjesi i Mbrojtjes së Fëmijës vlerëson menjëherë shkallën e vulnerabilitetit dhe vlerësimin në familje. Pasi identifikohet dhe vlerësohet shkalla e rrezikut dhe përsëritja e sjelljes punonjësi e referon rastin për shërbim më të specializuar. Punonjësi mund të thërrasë edhe Grupin Teknik Ndërsektorial për ta menaxhuar më mirë rastin. Ose ka edhe raste kur vetë punonjësi bashkëpunon direkt me stafin psiko-social për të kuptuar më thellë arsyet që e shtyjnë drejt kësaj sjelljeje, nivelin e agresionit të fëmijës që bullizon etj.
Nga shkolla ndërmerren masa disiplinore por edhe biseda edukative, ku fëmijës i shpjegohet pse sjellja e tij është e dëmshme. Për këta fëmijë stafi i shkollës në bashkëpunim me Punonjësin e Mbrojtjes së Fëmijës hartojnë planin individual të mbrojtjes me masa përkatëse për trajtimin e fëmijës. Pjesë e planit është dhe puna me familjen si dhe monitorimi i vazhdueshëm i fëmijës për të parë ecurinë e tij në sjellje. “, thotë Tandili.
Kur pyetet për zgjidhjet e reja që janë diskutuar gjatë analizave të tyre për të minimizuar bullizmin, Tandili thotë se kanë bashkëpunuar me organizatat partnere për hartimin e planeve të ndërhyrjeve.
“Kemi bashkëpunuar për të rritur kapacitetet e njësive për mbrojtje të fëmijës në nivel bashkiak për të ndjekur rastet e përsëritura të bullizmit dhe bashkërendimin midis shkollave, njësive për mbojtje të fëmijës, zyrave arsimore vendore dhe oficerëve të policisë nëpër shkolla. Agjencia bashkë me Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike ka organizuar disa takime dhe fushata sensibilizuese nëpër disa shkolla të vendit me qëllim përdorimin sa me të drejtë të internetit dhe shmangien e bullizimit apo formave të tjera të dhunës online.”, përfundon Tandili.
I pyetur nga Gogo.al Robert Gajda, me funksion ekspert te Komisioneri kundër Diskriminimit thotë se e kanë ndjekur me vëmendje çështjen, duke u fokusuar te arsyet e bullizmit në shkolla por edhe nëse autoritetet e shkollës kanë marrë masa për të zgjidhur situatat apo parandaluar ato.
Çfarë bëjnë më shumë Finlanda, Danimarka, Suedia, Norvegjia, Italia dhe Greqia? Po Kosova?
Vendet evropiane kryesisht nordike që kanë përqindje më të ulta të shfaqjes së fenomenit kanë ndërtuar politika të qarta dhe të qëndrueshme për të adresuar bullizmin në mënyrë gjithëpërfshirëse. Finlanda zbaton prej vitesh programin e njohur KiVa, i cili mbështetet në ndërhyrje të strukturuara në nivel klase dhe shkollë, duke përfshirë edukimin emocional, trajnimin e stafit dhe mekanizma për identifikimin dhe ndjekjen e rasteve. Rezultatet e programit janë të matshme dhe kanë treguar ulje të ndjeshme të përhapjes së bullizmit në shkolla.
Danimarka dhe Suedia kanë miratuar ligje që detyrojnë institucionet arsimore të ndërhyjnë menjëherë në rastet e bullizmit, duke vendosur edhe përgjegjësi konkrete për mësuesit dhe drejtuesit e shkollës. Norvegjia ka ndërhyrë përmes programeve që forcojnë frymën e komunitetit dhe bashkëpunimit brenda klasës, duke e trajtuar bullizmin si fenomen i lidhur me mjedisin social dhe jo vetëm me sjelljen individuale.
Italia dhe Greqia nuk i kanë më të ulta se ne përqindjet e shfaqjes së fenomenit të bullizmit, por kanë marrë disa masa serioze. Për shembull, Italia përmes Ligjit nr. 71/2017 ka krijuar një kuadër të plotë ligjor kundër bullizmit dhe bullizmit kibernetik që përcakton qartë detyrimet e shkollave, krijimin e figurës së koordinuesit antibullizëm dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera.
Një shembull vjen nga Kosova, ku është pilotuar me sukses, siç e përcakton ekspertja kundër bullizmin Emanuela Ismaili, një version i shkurtuar i programit ViSC Social Competence, i cili ka treguar ulje të ndjeshme të rasteve të bullizmit fizik. Ky rast tregon sipas saj se edhe vendet me sfida të ngjashme me Shqipërinë mund të zbatojnë forma të përshtatura të modeleve ndërkombëtare dhe të arrijnë rezultate pozitive.
“Struktura shtetërore duhet të krijojë politika që nuk ndërhyjnë vetëm pas një ngjarjeje, por që ndihmojnë shkollat të punojnë sistematikisht me mirëqenien emocionale të fëmijëve, përfshirë vendosjen e psikologëve me rol aktiv dhe të pavarur. Ka disa projekte lokale që funksionojnë në Shqipëri, sidomos kur psikologu dhe mësuesi punojnë ngushtë me fëmijët dhe familjet. Por nevojitet një strategji kombëtare që e trajton bullizmin jo si incident, por si çështje kulture.”, thotë psikologia Arjola Manreka për Gogo.al.
Sipas saj duhen dhe më shumë përfshirje në aktivitete dhe socializim, si pjesëmarrje në punë vullnetare, të cilat duhet të vlerësohet si kontribut për adoleshentët dhe të rinjtë apo angazhim në komunitet për të ndihmuar komunitetet në nevojë për shembull moshën e tretë.
Manreka thotë media duhet të ndryshojë tonin, më pak sensacionalizëm e më shumë edukim në çështje të tilla.
Ndërsa psikologia Jonida Haxhiu thekson se çdo hallkë në sistem ka rolin e saj të rëndësishëm. “Nuk duhet të presim që mësuesi të jetë prindi i dytë.Secila hallkë, te konsiderohet. Fëmija kalon më shumë kohë në familje dhe patjetër që çdo prind duhët të marrë në konsideratë komunikimin prind- fëmijë, që kur vjen në jetë, zhvillohet çdo ditë.
Dështimi i të kuptuarit vjen nga moskomunikimi në kohë, dështon parimi bazë i prindërimit. Gjatë bullizmit fëmijët që nuk kanë komunikim me prindërit janë më të prirur t’I përjetojnë më shumë pasojat.”, thotë Haxhiu.
“Në klasë, nëse një djalë ngacmon një djale dhe klasa qesh, e përforcon dhe e motivon bullizuesin për sjelljen e tij. Kjo mund të jetë një pikë kyçe, ku duhet ndërhyrë.Një bullizues është abuzues por mund të jetë edhe viktimë në të njëjtën kohë.”, thotë psikologia Lorela Garuli.
“Miqtë e fëmijëve” – Diskutimi i zgjidhjeve të bullizmit në nivel politik
Me zgjidhje fragmentare, në një sistem që nuk ka një strategji kombëtare kundër bullizmit për ta luftuar, ndërsa pjesëza janë integruar në strategjinë kombëtare të arsimit dhe me bazë ligjore që nuk e përcakton bullizmin krim, kështu e ka luftuar bullizmin në shkolla këto vite Shqipëria. Me qasje trajtuese të rasteve, vendi duket se ka nevojë për më shumë psikologë e oficerë sigurie në shkolla, program josporadik trajnimesh për mësuesit, nxënësish dhe prindërish, ku të përfshihen më shumë, paga më të larta e një sërë nevojash të tjera që të gjithë aktorët treguan gjatë këtij shkrimi. Aq më shumë nevoja për të mësuar empatinë, respektin, bashkëjetesën në komunitet që herët për fëmijët, sapo lindin, në çerdhe e kopshte.
E kontaktuar nga Gogo.al, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sporteve znj.Oriana Osmani komentoi se institucioni i saj do t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me punën që është bërë deri më tani por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk patëm asnjë përgjigje.
Nga kërkimi ynë online na rezultoi se një hap i ndërmarrë është edhe vendosja e 240 oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, duke sjellë në vitin 2023-2024 sipas ministres së Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu 733 incidente më pak në ambjentet shkollore. Po ashtu Ministria e Arsimit deklaron se paga e mësuesve, psikologëve dhe punonjësve socialë në shkolla është rritur, ashtu sikurse edhe paga e oficerëve të policisë me 20%.
Ajo që shihet fare qartë është se bullizmi në shkolla nuk trajtohet i ndarë nga dhuna dhe sjelljet e tjera agressive, sepse siç e thonë dhe ekspertët e pyetur për këtë shkrim, bullizmi duhet trajtuar që në rrënjë, në gjithë sistemin e edukimit, që kur fëmija lind. Kjo kërkon thellësi, gjithëpërfshirje dhe mbi të gjitha më shumë para për edukimin në Shqipëri.
Ina Zhupa, deputete e sapozgjedhur e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë dhe njëkohësisht ish-nënkryetare e grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve” thotë për Gogo.al se ne flasim për bullizmin kur kthehet në një tragjedi dhe nuk harxhojnë kohë, minuta, pjesë të jetës tonë, të politikave shtetërore për t’u marrë me problemin përpara se të kthehet në një tragjedi.
“Po ajo që unë besoj që do duhet të bëjë kuvendi, që do duhet të bëjë politikbërja, them ta kthejë këtë në një temë kombëtare, do duhet që të flitet. Nuk flitet në Shqipëri, është një gjë e mbyllur.”, thotë Zhupa.
Në pozicionin e ligjbërëses, Zhupa analizon edhe mbi bazën e raporteve që ka marrë nga institucionet, të gjithë mangësitë e sistemit në trajtimin e bullizmit në shkolla. E nis me mungesën e psikologëve, mungesën e njohjes së mjedisit familjar ku rritet fëmija apo mungesën e pagave për punët shtesë që do u jepen mësuesve për të punuar me empatinë e nxënësve të tyre.
“Kemi 1 psikolog për 3 shkolla, ndonjëherë dhe 1 psikolog për 4 shkolla dhe i bie që një herë në vit një nxënës të mund të takohet me psikologun. Dhe çfarë bëjnë shkollat? Shkollat çojnë te psikologu dhe këtë e kam faktuar me dokumente zyrtare, çojnë te psikologu fëmijën problematik që është bërë problem i madh, sepse fëmijët e tjerë nuk kanë akses të shkojnë të psikologu për të diskutuar. Të ketë mundësi të diskutohet edhe për mjedisin që ata kanë në familjet e tyre. Për të kuptuar që ti ta bësh psikologun, punonjësin social një pjesë të integrale të procesit të edukimit, edhe të shkollës. Të investojë shteti te psikologët, të investojë shteti para nga buxheti i arsimit që të ketë paktën një psikolog në shkollë, më pas të kërkohen dy psikologë për shkollë, se nuk ka kuptim që ne të investojmë në godinë dhe të harxhojmë miliona euro në godina që i ndërtojmë me trefishin e çmimit të BE-së, po e ndërtojnë një shkollë 750 mijë euro neto, ne e ndërtojmë me 2.3 mln euro. Tani këtë diferencën ma ndërto si BE-ja, nuk po kërkoj të ma ndërtrosh më të mirë dhe këtë diferencë çoje të burimet njerëzore të shkollës.”, thotë Zhupa për Gogo.al.
Ajo shton se duhet pasur kujdes edhe me takimet fiktive që realizohen në shkolla me prindërit. “Takimi me prindër duhet të jetë një praktikë e institucionalizuar e shkollës, të jetë jo vetëm në shkollë, të jetë edhe në formën e piknikut bashkë me fëmijën, bashkë me mësuesin, për të qëndruar, për të ndërtuar frymë”, përfundon Zhupa.
“Zgjidhjet fragmentare janë të pamjaftueshme. Fenomeni i bullizmit kërkon një qasje sistemike ose sikurse e themi ne gjuhen profesionale holistike: ndërhyrje në nivel politikash arsimore, legjislacioni, përfshirjes së prindërve, mediave dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Vetëm një strategji kombëtare afatgjatë, me buxhet dhe përgjegjësi të qarta, mund të sjellë ndryshim të qëndrueshëm. Në nivel institucional, vazhdon të mungojë një qasje e qëndrueshme, e koordinuar dhe e ndjeshme për të adresuar bullizmin. Në vend të ndërhyrjeve që parandalojnë, kuptojnë dhe mbështesin, shpesh përdoren masa ndëshkuese sipërfaqësore ose, më keq akoma, situatat injorohen plotësisht. Në këtë realitet, është e domosdoshme që strategjitë kundër bullizmit të mos kufizohen në ndërhyrje teknike apo administrative. Ato duhet të prekin thelbin: edukimin e empatisë, forcimin e lidhjes prind–fëmijë, krijimin e shkollës si hapësirë të sigurt emocionale dhe kthimin e shoqërisë në një komunitet që reagon, që kujdeset dhe që nuk pranon të mbyllë sytë.”, thekson ekspertja kundër bullizmit Emanuela Ismaili.
Edhe pse Shqipëria ka zhvilluar trajnime për rritjen e kapaciteteve profesionale të mësuesve për të trajtuar fenomenin, ka hartuar protokolle të posaçme për identifikimin, raportimin dhe trajtimin e rasteve të bullizmit, është në proces ndërtimi të ekipeve antibullizëm nëpër shkolla, ka patur projekte pilote nga UNICEF-i dhe Këshilli i Europës apo e ka trajtuar për herë të parë si problem sistemik në Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, sërish sfidat mbeten. Një ndër to është edhe mungesa e një sistemi të konsoliduar monitorimi.
“Qasja më konstruktive për Shqipërinë do të ishte një model i integruar që ndërthur praktikat më të suksesshme ndërkombëtare me realitetin tonë kulturor dhe institucional. Modelet nordike, si programi KiVa i zbatuar në Finlandë kanë treguar efikasitet të lartë në reduktimin e bullizmit përmes ndërhyrjeve të planifikuara, fokusit te klima pozitive në klasë, edukimi emocional dhe angazhimi i të gjithë komunitetit shkollor. Ky model është i suksesshëm sepse punon njëkohësisht me viktimën, bullizuesin dhe vëzhguesit (spektatorët) dhe fokusohet më shumë në parandalim dhe ndërgjegjësim, sesa në trajtim.
Megjithatë, Shqipëria ka nevojë për një qasje të përshtatur, duke marrë parasysh kufizimet ekzistuese në burime njerëzore dhe institucionale. Një shembull i përshtatshëm vjen nga Kosova, ku është pilotuar me sukses një version i shkurtuar i programit ViSC Social Competence, i cili ka treguar ulje të ndjeshme të rasteve të bullizmit fizik. Ky rast tregon se edhe vendet me sfida të ngjashme me Shqipërinë mund të zbatojnë forma të përshtatura të modeleve ndërkombëtare dhe të arrijnë rezultate pozitive.
Nga përvoja ime si profesioniste, pavarësisht cilit program apo modeli t’i referohemi – qoftë KiVa, ViSC, apo çdo praktikë tjetër ndërkombëtare, ajo që ka rëndësi thelbësore është ndërtimi i një kulture shkollore mbështetëse dhe gjithëpërfshirëse. Bullizmi nuk mund të trajtohet thjesht si një devijim individual, ai është pasqyrë e klimës sociale brenda shkollës dhe vetë shoqërisë.”, këshillon ekspertja.
*Shënim: Ky shkrim është mbështetur nga SoJo Europe, një program partneriteti midis Transitions, Journalismfund Europe, SEENPM, Constructive Institute dhe Bashkimit Evropian, që promovon Gazetarinë e Zgjidhjeve.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Gogo.al