Vendosni fjalën kyçe....

Kontrolle blic në burgjet 313 dhe 302, ndryshime në drejtim dhe sekuestrime në qeli



Policia e Burgjeve ka nisur këtë të mërkurë një seri kontrollesh të detajuara në institucionet e paraburgimit 313 dhe 302 në Tiranë, si pjesë e një aksioni të shtrirë në të gjitha burgjet e vendit. Kontrollet janë përqendruar si në zbulimin e sendeve të ndaluara, ashtu edhe në verifikimin e kartelave të takimeve të të burgosurve.

Ky aksion vjen menjëherë pas skandalit të zbuluar në burgun e Drenovës, ku një kontroll i brendshëm evidentoi shkelje të rënda të sigurisë dhe dyshime për bashkëpunim të stafit me të dënuarit. Në qendër të këtij rasti qëndron i shumëkërkuari Laert Haxhiu, i cili bashkë me dy bashkëpunëtorë – Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin – qëndronin në të njëjtin sektor dhe në dhoma ngjitur, në kundërshtim të hapur me protokollet e sigurisë për të dënuarit e rrezikshëm.

Gjatë kontrollit në qelitë e tyre janë sekuestruar 4 telefona celularë (markat iPhone dhe Samsung), karikues dhe kufje me bluetooth, që sipas burimeve dyshohet se janë përdorur për komunikime të paligjshme.

Më tej, raporti përmend edhe një tjetër shkelje serioze: futjen e femrave brenda burgut për shërbime personale ndaj Haxhiut, një praktikë e ndaluar dhe e dënueshme ligjërisht.

Përveç masave hetimore dhe disiplinore, janë ndërmarrë ndryshime në drejtimin e disa institucioneve penitenciare. Altin Agoni është emëruar në krye të burgut të Peqinit, ndërsa Qazim Hoxha në drejtimin e IEVP Elbasan.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pritet të vijojë me kontrolle të tjera dhe masa administrative, në përpjekje për të rivendosur standardet e sigurisë dhe integritetit në sistemin penitenciar shqiptar.