Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria e Kosovës kundërshton vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për pajisjet fiskale



Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar me shqetësim dhe kundërshtim ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë.

Gjykata ka arsyetuar vendimin me faktin se ky udhëzim është miratuar nga një qeveri dhe ministër në detyrë, të cilëve, sipas saj, u mungojnë kompetencat për nxjerrjen e akteve nënligjore.

Mirëpo, në një deklaratë zyrtare, Qeveria e Kosovës e ka cilësuar këtë arsyetim si të pabazuar ligjërisht dhe si një interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore. Ajo thekson se neni 31 i Ligjit për Qeverinë kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm për çështje madhore, si marrëveshje ndërkombëtare, amendamente kushtetuese apo projektligje të reja, por jo për akte zbatuese si Udhëzimi në fjalë.

Qeveria kujton se procedura për hartimin e këtij udhëzimi kishte filluar më 20 nëntor 2024, kur ajo gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, çka i jep aktit legjitimitet të plotë.

Deklarata vë në dukje se vendimi i Gjykatës është i dobët edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, pasi njëkohësisht njeh funksionimin e qeverisë në detyrë, por i mohon asaj kompetenca që ligji nuk i ndalon. Kjo, sipas Qeverisë, krijon kontradikta dhe dëmton sigurinë juridike dhe funksionimin e pandërprerë të institucioneve ekzekutive.

Në lidhje me pretendimet për një konflikt funksional mes ministrit në detyrë dhe një deputeti, Qeveria rikujton Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO124/25, i cili konstaton se Kuvendi i Kosovës ende nuk është funksionalizuar për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit dhe Nënkryetarëve – prandaj, një konflikt funksional i tillë nuk ekziston.

Qeveria e Kosovës thekson përkushtimin ndaj rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve shtetërore, dhe bën thirrje që vendimet e gjyqësorit të jenë të bazuara në standarde të qarta juridike, jo në interpretime të njëanshme apo motivime politike.

Në përfundim, Qeveria njofton se do të ndërmarrë të gjitha mjetet juridike në dispozicion për të rivendosur ligjshmërinë dhe standardet demokratike.