
Një nga partitë ultra-ortodokse të Izraelit, United Torah Judaism, tha se po largohej nga koalicioni qeverisës i kryeministrit Netanyahu për shkak të një mosmarrëveshjeje të gjatë mbi dështimin për të hartuar një projektligj për të përjashtuar studentët yeshiva nga shërbimi ushtarak.
Gjashtë nga shtatë anëtarët e mbetur të UTJ-së, e cila përbëhet nga degët Degel Hatorah dhe Agudat Yisrael, shkruan letra dorëheqjeje. Yitzhak Goldknopf, kryetar i UTJ-së, kishte dhënë dorëheqjen një muaj më parë.
Kjo do e linte Netanyahun me një shumicë shumë të ngushtë prej 61 vendesh në parlamentin me 120 vende.
Nuk ishte e qartë nëse Shas, një tjetër parti ultra-ortodokse, do ndiqte shembullin, shkruan Reuters.
Degel Hatorah tha në një deklaratë se pas këshillimit me rabinët e saj kryesorë, “dhe pas shkeljeve të përsëritura nga qeveria të angazhimeve të saj për të siguruar statusin e studentëve të shenjtë yeshiva që angazhohen me zell në studimet e tyre…deputetët e saj kanë njoftuar dorëheqjen e tyre nga koalicioni dhe qeveria”.
Partitë ultra-ortodokse kanë argumentuar se një projektligj për të përjashtuar studentët e yeshiva ishte një premtim kyç në marrëveshjen e tyre për t’u bashkuar me koalicionin në fund të vitit 2022.
Një zëdhënës i Goldknopf konfirmoi se gjithsej, shtatë anëtarë të parlamentit nga radhët e UTJ-së po largohen nga qeveria.
Ligjvënësit ultra-ortodoksë kanë kërcënuar prej kohësh të largohen nga koalicioni për shkak të projektligjit të rekrutimit ushtarak.
Disa parti fetare në koalicionin e Netanyahut po kërkojnë përjashtime për studentët ultra-ortodoksë hebrenj të seminareve nga shërbimi ushtarak që është i detyrueshëm në Izrael, ndërsa ligjvënës të tjerë duan të heqin çdo përjashtim të tillë tërësisht.
Ultra-ortodoksët kanë qenë prej kohësh të përjashtuar nga shërbimi ushtarak, i cili vlen për shumicën e të rinjve të tjerë izraelitë, por vitin e kaluar Gjykata Supreme urdhëroi Ministrinë e Mbrojtjes të ndalonte këtë praktikë dhe të fillonte rekrutimin e studentëve të seminareve.
Netanyahu kishte bërë presion të madh për të zgjidhur një bllokim në koalicionin e tij lidhur me një projektligj të ri për rekrutimin ushtarak, i cili ka çuar në krizën e tanishme. Përjashtimi, në fuqi prej dekadash dhe i cili me kalimin e viteve ka kursyer një numër gjithnjë e më të madh njerëzish, është bërë një temë e nxehtë në Izrael, me ushtrinë ende të përfshirë në një luftë në Gaza.