Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri i Ukrainës jep dorëheqjen



Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka paraqitur dorëheqjen të martën përmes një letre zyrtare, si pjesë e një riformatimi të madh në kabinetin qeveritar, që pritet të ndodhë brenda kësaj jave, përcjell REL.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka propozuar zëvendëskryeministren e parë dhe ministren aktuale të Ekonomisë, Yulia Svyrydenko, si pasuese të Shmyhalit. Svyrydenko është një aleate e afërt dhe besnike e presidentit ukrainas.

Shmyhal, i cili ka udhëhequr qeverinë që nga marsi i vitit 2020, pritet të marrë postin e ministrit të ri të Mbrojtjes, sipas deklaratës së Zelenskyt të dhënë të hënën.

Votimi për emërimin e Svyrydenkos si kryeministre pritet të zhvillohet në parlament të enjten, sipas deputetëve ukrainas.

Presidenti Zelensky deklaroi se tashmë ka diskutuar me Svyrydenkon për prioritetet e qeverisë së re për gjashtëmujorin e ardhshëm. Në një postim në Telegram, ku ndau edhe një foto nga takimi në zyrën e tij, ai tha se “po përgatiten hapat fillestarë të Qeverisë së rinovuar”.

Sipas tij, fokusi kryesor i qeverisë së re do të jetë rritja e prodhimit të brendshëm të armëve dhe zbatimi i reformave që do të çlirojnë potencialin ekonomik të vendit.