
Ministria e Jashtme e Sirisë ka reaguar ashpër ndaj sulmeve ajrore të ndërmarra nga Izraeli më herët gjatë ditës së sotme, duke i quajtur “një akt të pabesë agresioni” dhe një “shkelje të qartë të sovranitetit sirian”.
Sipas deklaratës zyrtare, bombardimet shkaktuan viktima në radhët e personelit ushtarak, forcave të sigurisë dhe civilëve. Ministria siriane theksoi se sulmet ndodhën në një moment “të dyshimtë”, ndërsa Siria po përpiqet të stabilizojë vendin dhe të rikuperohet nga pasojat e një lufte shumëvjeçare, përcjell Open Source.
“Siria rezervon të drejtën të mbrojë tokën dhe qytetarët e saj me të gjitha mjetet e lejueshme nga e drejta ndërkombëtare”, thuhet më tej në deklaratë.
Deri më tani, Izraeli nuk ka komentuar publikisht për këto sulme, të cilat vijnë në një periudhë tensionesh të larta në rajon.
