
Disa nxënës shkolle në Britaninë e Madhe janë arrestuar nga njësitë kundër-terrorizmit, pasi dyshohet se janë përfshirë në komplote të nxitura nga Rusia dhe Irani. Lajmin e ka bërë të ditur shefi i njësisë kundër-terrorizmit të Policisë Metropolitane, komandanti Dominic Murphy, duke paralajmëruar një rritje të ndjeshme të agresionit nga shtetet armiqësore dhe një rrezik të shtuar për të rinjtë, përcjell Guardian.
Sipas Murphy, të miturit në moshë të adoleshencës së mesme janë hetuar nën dyshimin se janë rekrutuar nga grupe kriminale të paguara nga agjentë rusë dhe iranianë për të kryer akte të ndryshme në territorin britanik.
Murphy theksoi se pjesa më e madhe e veprimtarive armiqësore ndaj Britanisë vjen nga Rusia, Irani dhe Kina. Që nga viti 2018, kur agjentë rusë tentuan të vrisnin një ish-spiun në Salisbury me agjent nervor “Novichok”, aktivitetet e këtyre shteteve janë rritur pesëfish.
Policia beson se grupi famëkeq rus Wagner është përdorur për të ndërmarrë sulme në territorin britanik. “Po shohim gjithnjë e më shumë të rinj që ndikohen nga propaganda dhe retorika e shteteve si Rusia, përfshirë Wagner-in. Duhet të gjejmë mënyra të reja për të komunikuar me këta të rinj dhe për t’i ndërgjegjësuar për rrezikun që përballen,” tha Murphy.
Koordinatorja kombëtare për kundër-terrorizëm, Vicki Evans, paralajmëroi për rreziqet në mjediset online ku të rinjtë mund të manipulohen lehtësisht. Ajo u bëri thirrje prindërve dhe mësuesve të jenë të vëmendshëm dhe të raportojnë çdo shqetësim.
Rreth 20% e të gjithë hetimeve të njësisë kundër-terrorizmit përfshijnë komplotet e shteteve armiqësore, si atentate ndaj disidentëve apo spiunazh.
Javën e kaluar, pesë persona u dënuan për një zjarrvënie në një magazinë në Londër që përmbante pajisje të rëndësishme për ndihmën ndaj Ukrainës. Sipas policisë, udhëheqësi i grupit ishte i vetëdijshëm se po punonte për Rusinë, ndërsa të tjerët mund të mos kenë qenë në dijeni – një skemë e zakonshme e përdorur përmes ndërmjetësve kriminalë.