
Bankers Petroleum Albania njoftoi se ka emëruar Kryetarin e Bordit Mbikëqyrës dhe Bashkëkryetarin për të Mbështetur Vazhdimësinë e Bashkëpunimit me Autoritetet Shtetërore.
Andrija Kojaković, sipas njoftimit, mbart një karrierë të spikatur në pozicione drejtuese të sektorit të energjisë, diplomaci dhe këshillim strategjik.
Z. Kojaković do të ketë një rol qendror në mbikëqyrjen e angazhimit të kompanisë me autoritetet shqiptare dhe në mbështetjen për një sqarim të plotë të situatës aktuale.
Kojaković mbart një përvojë të spikatur në poste drejtuese në sektorin e naftës dhe gazit në Ballkan, përfshirë periudhën kur ka qenë Drejtor Ekzekutiv i kompanisë kroate INA d.d. (1995–1997), ku ka udhëhequr nismat e rëndësishme për ristrukturim financiar dhe ligjor.
Ai gjithashtu ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Kroacisë në disa shtete kyçe (përfshirë Kinën dhe Mbretërinë e Bashkuar), si dhe si Anëtar Bordi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ku ka këshilluar për zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen. Në sektorin privat, ai themeloi dhe drejtoi Central European Oil Company, e mbështetur nga institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare.
Emërimi i tij përforcon angazhimin tonë për menaxhim të fortë, transparencë dhe udhëheqje të përgjegjshme ndërsa ecim përpara.
Ndërkohë, operacionet tona mbeten të qëndrueshme. Ne kemi riformuar ekipin tonë kryesor dhe punonjësit tanë janë duke u mbështetur në mënyrë të plotë. Aktivitetet e përditshme vazhdojnë pa ndërprerje të mëdha, falë drejtimit të inxhinierëve shumë të kualifikuar dhe me përvojë që po e çojnë kompaninë përpara.
Bankers Petroleum Albania mbetet plotësisht bashkëpunues me të gjitha institucionet dhe autoritetet përkatëse. Ne jemi të përkushtuar ndaj një dialogu konstruktiv dhe përputhshmërisë së plotë gjatë gjithë këtij procesi, duke vazhduar njëkohësisht të kontribuojmë në sigurinë e sektorit të energjisë dhe zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Në fillim të korrikut, prokuroria e Fierit njoftoi se kishte nisur një hetim ndaj Bankers Petroleum, një prej sipërmarrjeve më të mëdha në vend, që menaxhon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Sipas Prokurorisë së Fierit, kompania ka deklaruar për periudhën 2004–2024 një total shitjesh dhe eksportesh prej mbi 532 miliardë lekësh, por ka rezultuar çdo vit me humbje, duke shmangur në mënyrë sistematike pagesën e tatim-fitimit. Ndërkohë, janë deklaruar shpenzime të pretenduara që tejkalojnë të ardhurat, në një vlerë të përgjithshme prej afro 11.7 miliardë lekësh.
Dyshohet se, përmes fryrjes fiktive të këtyre shpenzimeve, kompania jo vetëm ka shmangur taksat, por ka përfituar edhe rimbursime të pajustifikuara të TVSH-së, me një dëm të dyshuar që llogaritet në miliona euro. Prokuroria ka ekzekutuar 9 masa sigurimi ndaj drejtuesve aktualë dhe të mëparshëm të kompanisë, ndërsa 5 shtetas të tjerë, kryesisht të huaj, janë shpallur në kërkim.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor