Vendosni fjalën kyçe....

“S’do lejojmë dëmtimin e druzëve në Siri” – Izraeli sulmon tanket e ushtrisë siriane


Ushtria izraelite tha të hënën se kishte goditur tanke ushtarake në Sirinë jugore, ku forcat qeveritare dhe fiset beduine u përleshën me milicitë druze.

Dhjetëra njerëz janë vrarë në luftimet midis milicive lokale dhe klaneve në provincën Sëeida të Sirisë. Forcat qeveritare të sigurisë që u dërguan për të rivendosur rendin të hënën u përleshën gjithashtu me grupet e armatosura lokale.

Ministria e Brendshme e Sirisë ka thënë se më shumë se 30 persona kanë vdekur dhe gati 100 të tjerë janë plagosur. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një mbikëqyrës lufte me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, raportoi të paktën 89 të vdekur, përfshirë dy fëmijë, dy gra dhe 14 anëtarë të forcave të sigurisë.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz tha se IDF-ja sulmoi objektivat në Siri si një mesazh dhe një paralajmërim i qartë për qeverinë siriane se Izraeli nuk do lejojë dëmtim të druzëve në vend.

Përleshjet në Siri fillimisht shpërthyen midis grupeve të armatosura nga klanet druze dhe beduine sunite, tha observatori, me disa anëtarë të forcave të sigurisë qeveritare që “morën pjesë aktive” në mbështetje të beduinëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Noureddine al-Baba, tha se forcat qeveritare hynë në Sëeida herët në mëngjes për të rivendosur rendin.

“Disa përleshje ndodhën me grupe të armatosura të jashtëligjshme, por forcat tona po bëjnë çmos për të parandaluar çdo viktimë civile”, tha ai për televizionin shtetëror Al-Ikhbariya.

Observatori tha se përleshjet filluan pas një serie rrëmbimesh midis të dy grupeve, të cilat filluan kur anëtarët e një fisi beduin në zonë ngritën një pikë kontrolli ku sulmuan dhe grabitën një të ri druz.

Rami Abdurrahman, i cili drejton observatorin, tha se përplasja filloi me rrëmbimin dhe grabitjen e një shitësi perimesh druz, duke çuar në sulme dhe rrëmbime të tipit “dhëmbë për dhëmbë”.

Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme e Sirisë po dërgonin personel në zonë për të provuar të rivendosnin rendin.

Ministria e Brendshme e përshkroi gjendjen si një përshkallëzim të rrezikshëm që “vjen në mungesë të institucioneve zyrtare përkatëse, gjë që ka çuar në një përkeqësim të gjendjes së kaosit, përkeqësim të sigurisë dhe pamundësi të komunitetit lokal për të kontrolluar gjendjen pavarësisht thirrjeve të përsëritura për qetësi”.

Zëvendës e dërguara e posaçme e OKB-së për Sirinë, Najat Rochdi, shprehu “shqetësim të thellë” për dhunën dhe i kërkoi qeverisë dhe grupeve lokale të “ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të mbrojtur civilët, për të rivendosur qetësinë dhe për të parandaluar nxitjen”.

Ajo tha në një deklaratë se përleshjet nënvizuan “nevojën e menjëhershme për përfshirje të vërtetë, ndërtim besimi dhe dialog kuptimplotë për të çuar përpara një kalim politik të besueshëm dhe gjithëpërfshirës në Siri”.

Në Izrael, druzët shihen si një pakicë besnike dhe shpesh shërbejnë në forcat e armatosura.

Ministria e Jashtme e Sirisë bëri thirrje që “të gjitha vendet dhe organizatat të respektojnë autoritetin e Republikës Arabe Siriane dhe të përmbahen nga mbështetja e çdo lëvizjeje rebele separatiste”. Në një deklaratë, u bëri thirrje sirianëve të “ndërpresin aktet e dhunës, të dorëzojnë armët e paligjshme dhe të pengojnë ata që kërkojnë të çmontojnë strukturën shoqërore siriane dhe të mbjellin mosmarrëveshje dhe përçarje”.

Izraeli i sheh druzët si pakicë besnike

Izraeli ka ndërhyrë më parë në Siri në mbrojtje të pakicës fetare druze. Në maj, forcat izraelite goditën një vend pranë pallatit presidencial në Damask, në atë që u pa si një paralajmërim për Presidentin e përkohshëm sirian Ahmad al-Sharaa. Sulmi erdhi pasi dhjetëra u vranë në luftimet midis personave të armatosur pro-qeveritarë dhe luftëtarëve druzë në fillim të këtij viti në qytetin Sahnaya dhe në periferinë e Damaskut me shumicë druze, Jaramana.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz thanë në një deklaratë në atë kohë se Izraeli “nuk do  lejojë vendosjen e forcave (qeveritare siriane) në jug të Damaskut ose ndonjë kërcënim për komunitetin druz”.

Mbi gjysma e afërsisht 1 milion druzëve në të gjithë botën jetojnë në Siri. Shumica e druzëve të tjerë jetojnë në Liban dhe Izrael, përfshirë në Lartësitë e Golanit, të cilat Izraeli i pushtoi nga Siria në Luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe i aneksoi në vitin 1981.

Ndërsa shumë druzë në Siri kanë thënë se nuk duan që Izraeli të ndërhyjë në emër të tyre, fraksionet nga pakica druze kanë qenë gjithashtu dyshuese ndaj autoriteteve të reja në Damask pasi ish-Presidenti Bashar Assad u largua nga vendi në dhjetor gjatë një ofensive rebele të udhëhequr nga grupet kryengritëse islamiste sunite. Në disa raste, grupet druze janë përleshur me forcat e sigurisë nga qeveria e re ose fraksionet aleate.

Një grup i udhëhequr nga Sheikh Hikmat Al-Hijri, një udhëheqës shpirtëror druz i cili ka qenë kundër qeverisë së re në Damask, të hënën lëshoi një deklaratë duke kërkuar “mbrojtje ndërkombëtare” dhe akuzoi forcat qeveritare dhe agjencinë e Sigurisë së Përgjithshme për “mbështetjen e bandave tekfiri” – duke përdorur një term për militantët sunitë.

Sekti fetar druz është një grup minoritar që filloi si një degë e shekullit të 10-të e Ismailizmit, një degë e Islamit Shiit. Në Siri, ata jetojnë kryesisht në provincën jugore Sëeida dhe në disa periferi të Damaskut, kryesisht në Jaramana dhe Ashrafiyat Sahnaya në jug.

Druzët zhvilluan milicitë e tyre gjatë luftës civile gati 14-vjeçare të vendit, gjatë së cilës ata ndonjëherë u përballën me sulme nga Shteti Islamik dhe grupe të tjera militante islamike.

Izraeli ka mbajtur një qëndrim agresiv ndaj udhëheqësve të rinj të Sirisë që nga rënia e Asadit, duke thënë se nuk dëshiron militantë islamikë pranë kufijve të saj. Forcat izraelite më parë pushtuan një zonë tampon të patrulluar nga OKB-ja në territorin sirian përgjatë kufirit me Lartësitë e Golanit dhe kanë nisur qindra sulme ajrore në vendet ushtarake në Siri.

Administrata Trump ka bërë presion që qeveria e re siriane të ecë drejt normalizimit me Izraelin. Zyrtarët sirianë kanë pranuar se kanë zhvilluar bisedime të tërthorta me Izraelin për të provuar të ulin tensionet, por nuk janë përgjigjur ndaj raporteve se të dy palët kanë zhvilluar gjithashtu bisedime të drejtpërdrejta.

I dërguari i SHBA-së në Siri, Tom Barrack, i tha Associated Press javën e kaluar se ai beson se normalizimi i lidhjeve do ndodhë “si të hapësh një qepë, shtresë pas shtrese”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani