Vendosni fjalën kyçe....

Rreth 1,500 tarantula të fshehura në kuti tortash zbulohen në një aeroport gjerman


Zyrtarët e doganës në aeroportin e Këln-Bonit në Gjermani kanë sekuestruar rreth 1,500 tarantula të reja që ishin fshehur në kuti ëmbëlsirash, të ardhura nga Vietnami.

Zbulimi u bë pas një dyshimi të ngritur nga era e paketës, e cila nuk ngjante aspak me aromën e pritur të një torte me çokollatë dhe pandispanjë.

Sipas zëdhënësit të zyrës së doganës në Këln, Jens Ahland, pakoja peshonte 7 kilogramë dhe ishte deklaruar si një dërgesë me ëmbëlsira, por brenda saj u gjetën qindra kuti plastike të vogla, secila me nga një tarantulë të gjallë, përcjell The Guardian.

“Kolegët tanë në aeroport janë shpesh të habitur nga përmbajtja e pakove të ndaluara që vijnë nga e gjithë bota, por ky rast i la pa fjalë edhe më me përvojërit,” tha Ahland.

Ai e përshkroi ngjarjen si një “sekuestrim të jashtëzakonshëm”, por gjithashtu shprehu keqardhje për trajtimin e kafshëve në këtë mënyrë vetëm për përfitime financiare.

Shumë nga zvarranikët nuk i mbijetuan udhëtimit, ndërsa ato që mbijetuan iu dorëzuan një specialisti për kujdes të mëtejshëm.

Sipas autoriteteve doganore, hetimet penale janë në zhvillim ndaj marrësit të pakos, që ndodhej në rajonin Sauerland, në lindje të aeroportit.

Ai akuzohet, ndër të tjera, për shkelje të rregullave mbi mirëqenien e kafshëve, si dhe për shmangie të detyrimeve doganore dhe mosdeklarim të mallrave.

Ngjarja ndodhi rreth tre javë më parë, por autoritetet e bënë publike imazhet vetëm këtë të hënë. Vlera e dërgesës është ende në proces vlerësimi.