Vendosni fjalën kyçe....

Trump vendos tarifa 30% për importet nga BE dhe Meksika



Presidenti amerikan
Donald Trump ka njoftuar të shtunën se mallrat e importuara nga Bashkimi Evropian dhe Meksika do t’i nënshtrohen një tarife doganore prej 30%, duke filluar nga 1 gushti. Lajmi u bë publik përmes letrave të postuara në platformën e tij “Truth Social”, që u dërguan udhëheqësve të të dy vendeve.

Në letrën drejtuar presidentit të Meksikës, Trump e pranoi se vendi ka ndihmuar në uljen e fluksit të emigrantëve të paligjshëm dhe të drogave si fentanili, por shtoi se nuk është bërë mjaftueshëm për të ndaluar që Amerika e Veriut të shndërrohet në një “fushë loje të trafikut të drogës”, përcjell Guardian.

Ndaj BE-së, Trump u shpreh se marrëdhënia tregtare ka qenë e pabarabartë:

“Kemi pasur vite të tëra për të diskutuar marrëdhënien tonë tregtare me Bashkimin Evropian dhe kemi përfunduar se duhet të largohemi nga këto deficite të mëdha, të qëndrueshme dhe afatgjata, të shkaktuara nga tarifat, barrierat tregtare dhe politikat tuaja jo-tarifore,” thuhet në letrën drejtuar Brukselit.

Ai e përshkroi marrëdhënien tregtare me BE-në si “larg reciprocitetit”.

Vendimi për tarifën 30% ka befasuar zyrtarët evropianë, pasi pritjet ishin për një tarifë prej 10%, sipas burimeve nga Komisioni Evropian. Ky zhvillim mund të rrezikojë nisjen e një lufte tregtare, që do të prekë veçanërisht produkte me marzh të ulët fitimi si çokollata belge, gjalpi irlandez dhe vaji i ullirit italian.