
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet përsëri Gjykatës Kushtetuese, për të kërkuar sqarim mbi pasojat ligjore nëse nuk respektohet afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të ri, pas zgjedhjeve.
Duke folur gjatë një paneli në Hudson Institute në Washington, Osmani tha se afati përfundon më 26 korrik, por Kushtetuta nuk përcakton se çfarë ndodh nëse ky afat nuk respektohet.
“Kushtetuta e Kosovës u hartua me besimin se ligjvënësit do të bashkëpunonin, jo të bllokonin njëri-tjetrin. Por për fat të keq, parlamenti ende nuk është konstituar për shkak të disa paqartësive kushtetuese,” tha Osmani.
Ajo shtoi se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar ekzistencën e një afati të detyrueshëm 30-ditor, por pa dhënë një përgjigje të qartë për pasojat ligjore të mosrespektimit të tij. Për këtë arsye, presidentja tha se do të kërkojë një interpretim të ri nga gjykata.
“Shpresoj se gjatë javëve në vijim do të ndodhë diçka pozitive. Ndoshta do të kemi një qeveri – sado e brishtë – sepse vendi ka nevojë për institucione funksionale,” u shpreh ajo.
Kosova ndodhet në një situatë të ndërlikuar politike, me vonesa në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve. Nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit, vendi mund të përballet me një krizë të re kushtetuese.