
Policia ka sqaruar sulmin me bombë molotov në Theth gjatë operacionit për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Sipas policisë, nuk ka pasur sulm ndaj asnjë mjeti të IKMT-së, por është sulmuar një urë druri, që është dëmtuar pjesërisht.
Në njoftim thuhet gjithashtu se autori nuk është identifikuar ende.
Njoftimi
“Në lidhje me një lajm të publikuar në media dhe rrjete sociale, se në fshatin Theth janë sulmuar me lëndë djegëse (molotov) mjetet fadromë të IKMT-së dhe një urë në lagjen “Gjelaj”, sqarojmë se:
Rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar djegien e një ure druri, por me ndërhyrjen e Policisë është parandaluar djegia e plotë e saj. Nga zjarri, ura ka pësuar dëmtime të pjesshme.
Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.
Shërbimet e Drejtorisë Vendors të Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth.
Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse.”