
Një situatë e tensionuar është regjistruar ditën e sotme në Theth, ku disa persona kanë qëlluar me molotov ndaj mjeteve të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Ngjarja ka ndodhur gjatë një aksioni të IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të parkut kombëtar të Thethit.
Sipas informacioneve paraprake, banorë të zonës, të pakënaqur nga vendimi për shembjen e objekteve, kanë kundërshtuar me forcë ndërhyrjen e IKMT-së, duke përdorur molotov ndaj mjeteve të inspektoratit.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka planifikuar të vijojë me aksionin për lirimin e hapësirave të zaptuara në mënyrë të paligjshme, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Theth.
Autoritetet kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit, duke theksuar se zbatimi i rregullave është i domosdoshëm për të ruajtur bukuritë natyrore dhe integritetin mjedisor të kësaj zone të veçantë turistike.
Kujtojmë se konflikti për ndërtimet në Theth ka marrë edhe një përmasë politike dhe institucionale.
Kryeministri Edi Rama reagoi me tone të ashpra ndaj vendimit të Prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila vendosi të mos regjistronte procedim penal për ndërtimet pa leje në zonë. Rama e cilësoi vendimin si një “masakër mjedisore” dhe akuzoi prokuroren se po mbron shkelësit e ligjit dhe po minon përpjekjet për të ruajtur Thethin si një pasuri kombëtare.
Kryeministri publikoi edhe një video nga zona, ku tregoheshin ndërtimet që, sipas tij, janë ngritur në “zemër të parkut kombëtar”, duke shtuar se vendimi i prokurorisë është “i pafalshëm” dhe prokurorja është “e padenjë për t’u paguar me taksat e qytetarëve shqiptarë”.
Ai njoftoi se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisjen e një hetimi disiplinor ndaj saj, duke theksuar se mosndëshkimi i shkelësve të ligjit cenon interesin publik dhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.