Vendosni fjalën kyçe....

Ish-krerët e FBI-së dhe CIA-s nën hetim


Ish-shefat e FBI-së dhe CIA-s janë nën hetim për deklarata të pretenduara të rreme ndaj Kongresit mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, kur Donald Trump fitoi mandatin e tij të parë presidencial, sipas raporteve të medias.

Ky veprim erdhi pasi drejtori në fuqi i CIA-s, John Ratcliffe, publikoi një raport javën e kaluar duke thënë se John Brennan, paraardhësi i tij nën presidentin Barack Obama, dhe ish-drejtori i FBI-së, James Comey, kishin “manipuluar inteligjencën” në një Vlerësim të Komunitetit të Inteligjencës të bërë menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2016, sipas CNN.

“E gjithë bota tani mund ta shohë të vërtetën: Brennan, ish-drejtori i CIA-s dhe Comey manipuluan inteligjencën dhe bllokuan profesionistët e tjerë, e gjitha kjo për të goditur Trumpin.

Faleminderit oficerëve të karrierës së CIA-s që kryen këtë shqyrtim dhe ekspozuan faktet“, tha Ratcliffe në X më 2 korrik, ditën kur ai publikoi raportin.

CNN tha se nuk është e qartë nëse hetimi i FBI-së ka kaluar përtej një faze paraprake, duke shtuar se një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi të komentonte, duke thënë: “Ne nuk komentojmë për hetimet në vijim.”

Trump e shkarkoi Comey-n në maj 2017, ndërsa Brennan dha dorëheqjen më 20 janar 2017, ditën kur Trump mori detyrën. Të dy u emëruan nga presidenti i atëhershëm Obama.

Për vite me radhë, Trump i ka kritikuar ashpër të dy zyrtarët. I pyetur të mërkurën në lidhje me hetimin e ri të FBI-së, Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Comey dhe Brennan janë “njerëz shumë të pandershëm”, duke shtuar: “Mendoj se janë shumë të korruptuar dhe ndoshta duhet të paguajnë një çmim për këtë”.

Comey dhe Brennan mbikëqyrën hetimet mbi lidhjet e fushatës së Trump me Rusinë, lidhje të cilat Trump i ka cilësuar si “mashtrim”.

Trump ka pohuar shpesh se ai ishte shënjestruar padrejtësisht nga hetime të shumta, përfshirë hetimin mbi lidhjet e fushatës me Rusinë, dhe i ka kërkuar zbatimit të ligjit në SHBA të ndjekë penalisht ata që e hetuan atë.