
Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, dhe ai i Himarës, Vangjel Tavo, kanë refuzuar publikisht të zbatojnë urdhrin e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e nënkryetarëve të bashkive.
I pranishëm në takimin e zhvilluar në Durrës mes Ramës dhe drejtuesve vendorë, Qosja u shpreh se ultimatumi i kryeministrit nuk e prek atë, pasi ai nuk është pjesë e Partisë Socialiste.
“Absolutisht jo. Performanca është gjë tjetër. Jo, nuk do t’i shkarkoj për shkak të kryeministrit, por për shkak të sezonit turistik apo tjetër… Nuk isha këtu politikisht, isha si kryetar bashkie, kështu që ai e ka me të vetët, jo me të mitë,” tha Qosja.
Edhe kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, reagoi në të njëjtën linjë, duke deklaruar se nënkryetarët janë ende në provë, pasi janë të sapoemëruar.
“Në varësi të performancës. Unë jam kryetar i ri. Kuptohet që janë akoma në provë, plus që nënkryetarët e mi janë të rinj,” u shpreh Tavo.
Kujtojmë se Rama gjatë takimit kërkoi nga të gjithë kryebashkiakët e PS të marrin masa ndaj zyrtarëve vendorë që nuk performojnë, duke përfshirë edhe largime nga detyra, veçanërisht në prag të sezonit turistik.